Presidenti shqiptar Ilir Meta komentoi këtë të enjte propozimin për ndryshime kushtetuese duke u shprehur se ndryshimet janë antikushtetuese, kundër parimeve të Komisionit të Venecias dhe duhet të nisin të paktën një vit para datës së zgjedhjeve.
Menjëherë ka reaguar me anë të një postimi në Twitter, kryeministri Edi Rama duke u shprehur se nuk do të ndryshojë as sistemi dhe as koalicionet nuk do të ndaloen, ndërsa ndryshimet do të miratohen nga Kuvendi.
“Ilir Meta thotë ndryshimi i sistemit, heqja e koalicioneve, hapja e listave bëhen vetëm me referendum! Askund nuk bëhet referendum për këto çështje. Ndërsa këtu as sistemi s’do ndryshojë, as koalicionet s’do ndalohen, po listat do hapen nga Kuvendi i Shqipërisë me ligj, me zakon e me karton!”
Më tej, Rama shkruan se modeli i ri do të jetë ai gjerman.
“Sa për modelin lindor, modeli i koalicionit që kemi s’është as perëndimor, as jugor, as verior dhe prandaj nuk gjendet askund në lindje a në perëndim! Modeli i ri do të jetë gjerman e plotësisht europian, koalicion tamam, me zë, figura e program, jo kosh karavidhesh pa din as iman!”./ A2 CNN