Rama: Rusia nuk është vend armik i Shqipërisë, por kemi ndarje të qarta

Prishtinë | 05 Shk 2022 | 15:58 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se e vetmja mënyrë për zgjidhjen e konfliktit Ukrainë-Rusi janë bisedimet. Në një konferencë për medie i pari i Qeverisë shqiptare theksoi qëndrimin lidhur me situatën e krijuar mes Ukrainës dhe Rusisë për çka tha që ky është një konflikt goxha i rrezikshëm.

Rama tha se në marrëdhëniet bilaterale nuk ka asnjë problem me Rusinë dhe se ky shtet nuk është armik i Shqipërisë, por që ka nënvizuar se me Rusinë ka një ndarje të qartë.

Ai është pyetur edhe për letrën e ambasadës ruse në Tiranë dhe për dënimin eish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri një ditë më parë nga Gjykata e Posaçme e Apelit.

“Çdo qeveri e ka marrë atë letër, e ka lexuar, por e lexon, ndërkohë që qëndrimet tona janë publike, janë të qarta, janë të drejta besoj unë. Ne nuk kemi asnjë problem në marrëdhëniet tona bilaterale me Rusinë. Rusia nuk është një vend armik i Shqipërisë, por ne kemi një ndarje shumë të qartë në këtë pikë dhe gjithë zhurma për letrën është pjesë e një zhurme folklorike në katundin e Partisë Demokratike, që ta themi qartë. Unë ndaj mendimin e shumë të tjerëve, që ky është një konflikt goxha i rrezikshëm dhe tensioni në rritje është patjetër me një potencial rrezikshmërie të lartë dhe bëj pjesë në atë grup njerëzish që fatmirësisht nuk janë pak, që besojnë se rruga është bisedime, bisedime, bisedime me Rusinë, për të gjetur pika çtensionimi e për të hapur një proces shumë të vështirë dakordësimesh”, ka thënë Rama.

Të ngjashme