Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë takimit me emigrantët shqiptarë në stadiumin Galatsi në Athinë, foli për kohën kur shqiptarët ishin emigrantët në Athinë dhe vuajtjet me të cilat janë përballur.
Kreu i qeverisë tha se ata luftuan dhe ia dolën. Sipas tij, tani shqiptarët nuk janë më shërbëtorë, por të zotë të barabartë në Greqi.
“Ndonjë tha se unë nuk duhej të vija për vizitë tek ju, por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjar, ata do kuptojnë që unë nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm. Kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie. Kam ardhur të flas me qytetarët e barasvlershëm në Europën demokratike. Ju shqiptaret e Greqisë jeni sot një vlerë e shtuar e punës, e ekonomisë, dijes, kulturës së këtij vendi të bekuar ku qëndron prej 25 shekujsh djepi i filozofisë dhe demokracisë me të cilin na lidh jo vetëm fqinjësia. Fatet tona, zakonet, shtigjet e jetës dhe rrugët e vështira tona”, u shpreh Rama.
“Shqiptarët nuk janë të ardhurit e leckosur, por janë përfaqësuesit e një vendi krenar që është Shqipëria jonë. Shqipëria e ka ngritur përfundimisht kokën e ulur në shekuj nga dhuna në historinë e saj tragjike dhe i sheh të gjithë në sy me te njëjtin respekt që kërkon dhe meriton nga të gjithë”.
“Rrugët, përrallat, marrëdhëniet kanë qenë shumë më të lidhura sesa janë dukur apo sesa janë lënë të duken nga retë dhe pluhurat nga politikat e dy vendeve tona. Sot që flasim dy dekada e kusur, dukja e marrëdhënieve tona thotë shumë me pak se realiteti, ndërthurja në jetëve dhe ndërlidhja e rrugëve të së ardhmes të përbashkët te shqiptarëve dhe grekeve. Duket sikur mes Shqipërisë edhe Greqisë ka pasur probleme te përjetshme, por jeta e përditshme mes shqiptarëve e grekëve, përtej pasqyrave verbuese mediatike, vazhdon normale, aktive dhe produktive”, tha Rama.