Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë dhe të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit dhe stabilitetit të Kryeqytetit, raporton GazetaBlic.
Ai njoftoi se në Odën e Kryeqytetit ka pritur Anu Prattipati, Zëvendës-Shefe e Misionit në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, e cila e uroi për mandatin e ri dhe riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme amerikane për Prishtinën.
Rama theksoi se ky partneritet përfaqëson një aleancë vlerash të bazuar në demokraci, besim reciprok dhe vizion të përbashkët për të ardhmen.
“Bashkëpunimi i ngushtë dhe i qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdon të mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit, stabilitetit dhe vizionit afatgjatë të Kryeqytetit. Sot, në Odën e Kryeqytetit, pata kënaqësinë të mirëpres Anu Prattipati, Zëvendës-Shefe e Misionit në Ambasada e SHBA-së në Kosovë, e cila më përcolli urimet për mandatin e ri dhe riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Prishtinën dhe zhvillimin e saj të gjithanshëm. Ky partneritet përfaqëson shumë më tepër sesa bashkëpunim institucional, ai është një aleancë vlerash, e ndërtuar mbi demokracinë, besimin reciprok dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen”, ka shkruar Rama.