Rama: Të rinjtë kanë nevojë për mbështetje dhe politika që mundësojnë zhvillimin e tyre

Prishtinë | 09 Sht 2026 | 10:10 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se institucionet duhet të krijojnë më shumë mundësi për të rinjtë dhe të investojnë në zhvillimin e potencialit të tyre.

Rama, përmes një deklarate, tha se problemi nuk qëndron te të rinjtë kur sistemi nuk arrin ta zhvillojë potencialin e tyre, por te politikat institucionale.

“Kur të rinjtë kanë potencial, por sistemi nuk arrin me e zhvillu atë, problemi nuk janë të rinjtë. Problemi janë politikat”, ka deklaruar Rama.

Ai bëri të ditur se Komuna e Prishtinës po synon t’i rikthejë hapësirat publike në funksion të të rinjve, dijes dhe krijimtarisë. Në këtë kuadër, Rama përmendi hapjen e qendrës së ICK-së dhe shtëpisë së re të DOKU.TECH.

Sipas tij, të rinjtë në Kosovë nuk kanë mungesë talenti apo disipline, por kanë nevojë për mbështetje dhe politika që mundësojnë zhvillimin e tyre.

“Na, që jemi në krye të institucioneve, na takon me ditë atë talent me e zbulu, me e mbështetë dhe me kanalizu”, tha Rama.

Duke iu referuar rezultateve të fundit të PISA-s, Rama kritikoi mënyrën se si, sipas tij, trajtohet arsimi në vend. Ai tha se arsimi nuk përmirësohet përmes masave të përkohshme, por përmes investimeve dhe politikave zhvillimore.

“Përmirësohet me përkushtim e seriozitet. Me politika zhvillimore, investim dhe punë”, u shpreh ai.

Në fund, Rama theksoi se Prishtina do të vazhdojë të investojë në hapësira për dije, teknologji dhe mundësi të reja për të rinjtë.

“Ma shumë hapësirë për dije. Ma shumë teknologji. Ma shumë mundësi. Ma shumë besim te të rinjtë tanë”, përfundoi Rama, duke uruar hapjen e shtëpisë së re të DOKU.TECH HUB.

Postimi i plotw:

KUR TË RINJTË KANË POTENCIAL, POR SISTEMI NUK ARRIN ME E ZHVILLU ATË, PROBLEMI NUK JANË TË RINJTË. PROBLEMI JANË POLITIKAT.

Kryeqyteti vepron ndryshe!

Para dy ditësh, e hapëm qendrën e ICK-së. Tash, shtëpinë e re të DOKU.TECH. E kështu do të vazhdojmë, hapësirat publike me ia kthy publikut të rinjve, atyre që mësojnë e  krijojnë.

Të rinjve tanë nuk u mungon talenti dhe disciplina. Na, që jemi në krye të institucioneve, na takon me ditë  atë talent me e zbulu, me e mbështetë dhe me kanalizu.

Rezultatet e PISA-s na e rikujtuan se arsimi nuk përmirësohet me pallavra, lëmoshë 100 euro në prag zgjedhjesh e profile e faqe fake online.  Përmirësohet me përkushtim e seriozitet. Me politika zhvillimore, investim dhe punë. Kur të rinjtë kanë potencial, dështimi për me e zhvillu atë potencial është dështim i politikave, jo i tyre.

Prandaj ne po zgjedhim me investu te ta. Ma shumë hapësirë për dije. Ma shumë teknologji. Ma shumë mundësi. Ma shumë besim te të rinjtë tanë.

Urime shtëpia e re DokuTechHUB!

Të ngjashme