Kryeministri Edi Rama në mesazhin e tij për shqiptarët një ditë para Vitit të ri 2020, ka folur për nismën e Mini-shengenit Ballkanik. Rama tha se është lënduar nga komentet negative të shumë shqiptarëve të Kosovës, por ka qenë i ashpër me klasën politike në Prishtinë.
“Mesa duket të tjerët kanë një veti që unë nuk e kam. Ata kanë rolin për të bërë shqiptarin, bëjnë rrenën patriotike kundër “shkjaut”. Por koha nuk është me ta. Shengeni rajonal nuk është Jugosllavi e re, siç thonë ata që nuk bëjnë dot qeveri as me dy parti”, tha Rama që këtë të fundit e kishte për Albin Kurtin që nuk po formon dot qeverinë e re të Kosovës.
Rama i vazhdoi edhe më tej shigjetimet për kreun e Vetëvendosje, por pa ia përmendur emrin.
“Këtë e thonë ata që nuk dinë të bëjnë qeveri, sepse zihen për karrige. Kanë sjellë edhe në Tiranë njerëz, duke mbushur njerëzit me rrena patriotike. Liderët në Kosovë po ia marrin fytyrën para europianëve dhe amerikanëve, pa të cilët Kosova nuk do ishte e pavarur. Politikanët në Kosovë luftojnë për vete”, tha Rama që më pas përsëriti se nuk ka qenë për ndarjen e Kosovës.
“Unë nuk harroj krimet dhe jam kundër krimeve të regjimit të Milloshevicit. Ata që thonë se unë paskam dashur deri të ndaj Kosovën, janë njerëz që duan veç interesin vetjak. Ky është një helm patriotik që hidhet nga persona që duhet të bëjnë më shumë për Kosovën”, tha Rama.