Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, do të udhëtojë këtë të mërkurë drejt Turqisë. Mësohet se kreu i qeverisë do të niset drejt shtetit turk në orën 14:00.
Tv Klan raporton se Rama do të jetë i shoqëruar nga një pjesë e kabinetit qeveritar. Mësohet se do të zhvillohen disa takime zyrtare për marrëveshjet që qeveria shqiptare ka firmosur me Turqinë.
Ndërkohë mësohet se ai do të jetë i pranishëm në Asamblenë Kombëtare të PS-së e cila do të mbahet pasditen e sotme online. Në fokus të këtij takimi pritet të jetë analiza e zgjedhjeve të 25 Prillit dhe thirrja e Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-së.
Kujtojmë që Kryeministri Edi Rama dhe një pjesë e kabinetit të tij ishin në fillim të vitit në një vizitë zyrtare në Ankara ku u pritën nga Presidenti Rexhep Tajip Erdogan. Takimi u finalizua me disa marrëveshje në sektorë të ndryshëm. Një ndër to ishte edhe ai për ndërtimin e spitalit rajonal “Memorial” të Fierit.