Rama viziton “Termokosin” – Ndalja e avullit nga KEK-u e detyron kompaninë të ndezë kaldajat me mazut, pas 6 vjetësh

Prishtinë | 15 Dhj 2021 | 14:40 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar kompaninë “Termokos”, për të parë nga afër procesin e aktivizimit të kaldajave me mazut, pasi furnizimit me avull nga KEK-u është ndërprerë, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i “Termokosit”, Arsim Fetahu, ka treguar se kaldajat me mazut nuk ishin ndezur që prej vitit 2015.

Rama dhe Fetahu shpjeguan për EO se kaldajat janë ndezur, por do të nevojiten disa orë që qytetarët e Prishtinës të ndiejnë ngrohjen në banesat e tyre.

Rama kishte shqetësim për ndotjen e mjedisit nga mazuti, por tha se kjo ishte alternativa e vetme për shkak të temperaturave dimërore, ndërkohë që koogjenerimi nuk po funskionon.

“Alternativa është ndezja e mazutit, i cili na dëmton në aspektin ambiental, ka konsekuenca negative. Por me mosnxehjen e qytetit, duhet me marrë vendim dhe me ndez menjëherë mazutin”.

“Sot patëm një takim urgjent me Ndërmarrjen Publike ‘Termokos’ lidhur me situatën e krijuar si pasojë e ndërprerjes së ngrohjes për qytetarët e Prishtinës. Morëm vendimin e përbashkët që të futet në sistem opsioni B i ngrohjes, përmes ndezjes së mazutit. Ne si Komunë do të jemi në komunikim të vazhdueshëm me institucionet relevante dhe me qytetarët deri në rregullimin e problemit”, ka thënë Rama.

“U takova edhe me inxhinierët për ta parë këtë proces. Nxehja e menjëhershme ka filluar, dhe mendoj se shkon një proces disaorësh deri sa të bëhet nxehja e mazutit. Normalisht se ndotja për fat të keq do të ndodhë, por ky është problem i vogël karshi uljes së temperaturave”, tha kryetari Rama.

Drejtori i “Termokosit”, Arsim Fetahu, tha se ngrohja me mazut nuk ka ndodhur që nga vitit 2015.

“Është e vërtetë që prej vitit 2015 deri më tani nuk kemi pasur nevojë të aktivizohen kaldajat me mazut, pasi koogjenerimi ka funksionuar mirë. Por për shkak të problemeve mbrëmë kanë rënë dy blloqe të KEK-ut”.

“Ne kemi filluar në mëngjes këto përgatitje dhe në koordinim më kryetarin vendosëm që të provojmë alternativën e nxehjes me mazut”, tha Fetahu.

“Merr kohë kjo dhe na duhet të presim”, tha ai teksa shtoi se ka marrë konfirmim se KEK-u ka premtuar se ngrohja do të rregullohet të enjten.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar për mungesën e ngrohjes në Prishtinë.

Në reagim thuhet se kjo ka ndodhur për shkak të një rrjedhje ne kaldajën e njësisë B1 dhe për këtë arsye janë detyruar të ndalin furnizimin me avull për ngrohtoren “Termokos” dhe nga e enjtja do të krijohen kushtet për furnizim.

Të ngjashme