Zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, së bashku me Ambasadorin e Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, kanë zhvilluar homazhe tek varri i ushtarit të panjohur në Paris të Francës, tek Harku i Triumfit.
Nën iniciativën e Ambasadës së Kosovës, për nder të 11 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Zëvendësministri Ramadani dhe Ambasadori Gashi kanë marrë pjesë në ceremoninë e “Ravivage de la Flamme” për të rënët për liri. Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe NënKoloneli i FSK-së, Ali Krasniqi.
Ceremonia zyrtare e homazheve tek varri i ushtarit të panjohur është zhvilluar sipas protokollit më të lartëfrancez, nën tingujt e himnit të Kosovës dhe himnit të Francës, ndërsa të pranishëm kanë qenë ish-ushtarakë të lartë francezë dhe një numër i madh i qytetarëve që kanë përcjellë ceremoninë.
Pas ceremonisë, të pranishmit qëndruan në ambasadën e Republikës së Kosovës në Paris.
“Kujtimi për të gjithë që dhanë jetën për lirinë është bindje dhe besim. Liria është e drejta e secilit popull. Një shekull më parë liridashësit në Francë e kudo në Evropë dëshmuan vlerën e përballjes me te keqen. Ndërsa, gati 20 vjet më parë populli i Kosovës gëzoi për herë të parë lirinë”, tha Ramadani.