Ramadani: Vjen konfirmimi, Liga Premiere është transmetuar jashtëligjshëm

Prishtinë | 13 Mar 2024 | 11:25 | Nga Ekonomia Online

Liga Premiere e Anglisë ka konfirmuar përmes një përgjigje për kryetarin e Komisionit Parlamentar për Media, Valon Ramadani se nuk i ka dhënë autorizim operatorit kabllor “Artmotion” për transmetimin e  ndeshjeve të kampionatit anglez.

Kryetari i Komisionit për Media, Valon Ramadani, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka bërë të ditur se pas diskutimeve e shqetësimeve të shumta të ngritura në Komision e në publik në lidhje mbi pretendimet për transmetim të paligjshëm dhe të paautorizuar të Premier Ligës Angleze në Kosovë nga platforma “ArtMotion” përmes kanaleve serbe “ArenaSport”, i është drejtuar me letër vet Premier Ligës nga të cilët ka kërkuar sqarim lidhur me këtë çështje.

“Përgjigja e tyre ishte e qartë: Premier Liga nuk e ka autorizuar Artmotion direkt të transmetojë ligën angleze në Kosovë dhe nuk e ka autorizuar Arena Sportin nga Serbia që përmes ArtMotion të shpërndajë ndeshjet e Premier Ligës në Kosovë. Transmetimet deri tani del të jenë bërë jashtëligjshëm dhe si të tilla do të duhej të trajtoheshin nga Komisioni i Pavarur i Mediave”, ka shkruar Ramadani në Facebook, teksa e ka publikuar edhe shkresën e drejtorit të të drejtave të transmetimit të Ligës Premier Angleze, Josh Smith.

“Lidhur me këtë, Premier League nuk e ka autorizuar drejtpërdrejt Artmotion për të transmetuar ndeshjet e Premier League në Kosovë, dhe as nuk e ka autorizuar Arenan që të lejojë Artmotion të shpërndajë ndeshjet e Premier League në Kosovë. Në pikëpamjen tonë Arena ka një marrëveshje me Artmotion për shpërndarjen e kanaleve të Arenas në Kosovë, por që Arena prodhon një version të kanaleve të tyre sportive pa ndeshje të Ligës Premiere për shpërndarje nga Artmotion në Kosovë. Shpresoj që kjo të jetë e dobishme në lidhje me hetimet tuaja”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Josh Smith drejtuar deputetit Valon Ramadani.

Të ngjashme