Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala ka intervistuar Sebaudin Ramaxhiku, Zyrtar Ligjor në Telekomin e Kosovës dhe ish u. d i Kryeshefit të Telekomit, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i këtij komisioni, Visar Ymeri, e pyeti atë se a ka qenë i përfshirë në kontratën me Z-Mobile.
Ramaxhiku tha se nuk ka qenë i përfshirë dhe se ka qenë i pakënaqur me disa nga pikat e marrëveshjes.
“Unë direkt në ndonjë dispozitë të marrëveshjes nuk kam qenë i përfshirë asnjëherë. Deri te ardhja e z. Merovcit nuk ka pasë asnjë aktivitet. I kam propozuar bordit që me ekipe me formu edhe një ekip të dytë që do shkonte si kontroll pas vërejtjeve. Unë kam arrdhë si kryeshef me kriju një ekip me staf ekskluziv. Në afat shumë të shkurtë kemi dorëzuar një raport që është protokolluar dhe i është dorëzuar bordit të drejtorëve dhe prej dy raporteve ka mbisunduar se raporti i parë është më kompetent dhe është vazhduar me marrëveshje. Ky raport ka përmbajt disa rezerva tona sa i përket arkitekturës së marrëveshjes”, u përgjigj ai.
Depueti i LDK-së, Armend Zemaj, pyeti se pse para-marrëveshja nuk ka qenë obligative ndërsa për marrëveshjen tha se tek në vitin 2009 ka mësuar se është nënshkruar kontrata mes dy operatorëve.
“Tek në vitin 2009 kam kuptuar se ajo kontratë është nënshkruar nga z.Haxha dhe është publiku. Vlerësimi im është se ajo para-marrëveshje nuk ka qenë obligative me vazhdu”, tha ai.
Deputeti nga PDK, Bekim Haxhiu, pyeti se a do ta kishte nënshkruar një kontratë të tillë ai sot.
E Ramaxhiku tha se nuk ka koment për këtë, teksa shtoi se pas një viti ka marrë vesh për kontratën.
“Në momentin kur është nënshkruar kontrata nga z.Haxha nuk kam qenë prezent dhe e kam pa 8-9 muaj më pas dhe as në arkivë nuk ka qenë. Mund të shihni se në 2009 disa anëtarë të bordit kanë insistuar me pa, por unë nuk kam qenë prezent”, tha ai, raporton EO.
“Po konstatoni se kontratën e keni pa 8 muaj pas kontratës”?, pyeti Haxhiu.
“8 apo një vjet pas po”, u përgjigj Ramaxhiku.
“Sa është paga juaj neto”?, pyeti sërish Haxhiu.
“Dikun 2300 euro”, tha ai.
“A e kishit nënshkruar ju një kontratë të tillë me Dardafon?, pyeti Haxhiu.
“Nuk kisha komentuar për këtë”, u përgjigj Ramaxhiku.
Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, pyeti se nëse i është kërkuar si u. d që ta nënshkruajë kontratën.
Ramaxhiku tha se nuk ka qenë i interesuar.
“Marrëveshja ka qenë e gatshme, por unë nuk kam qenë i interesuar”, tha ai, raporton EO.
Për Ramxhikun nuk ka qenë hera e parë e kërkesës për kryeshef ekzekutiv të Telekomit, pasi në përgjigje të Haxhiut, ai tha se ka konkurruar pesë herë për kryeshef ekzekutiv.
“Po, gjithsej pesë herë”, tha ai.
Kur Haxhiu kërkoi llogari për rastin e arbitrazhit, Ramxhiku tha se në mbrojtje të Telekomit në arbitrazh ishte edhe Shyqyri Haxha, por sipas tij ai nuk kishte pranuar.
“Unë me tre persona e kemi pasë për detyrë me bë mbrojtjen e korporatës dhe me i përgatit dëshmitë. Jam takuar tri herë me Shyqyri Haxhën dhe Ejup Qerimin e një person tjetër, por që të tre kanë refuzuar të jenë pjesë e ekipit tonë”, tha Ramaxhiku.
Visar Ymeri tha se në bazë të deklaratave të tjerët nuk ju kanë dëgjuar në lidhje me kontratën me Z- Mobile të cilën ai e pohoi.
Deputeti Milaim Zeka shtroi një numër shpenzimesh nga anëtarët e bordit të Telekomit veçanërisht Agron Mustafa për të cilin tha se ka bërë shpenzime enorme të palogjikshme.
“A të duket normale që kolegu Agron Mustafa bën shpenzime te një agjencion, me disa mijëra euro dhe në të dy faturat është emri tij. 10.8.2016 1934 euro për bileta. 10.8.2016 1064 euro. Me 22.12.2016 Agron Mustafa thotë udhëtim zyrtar në Monako 205 euro. Të njëjtat data del Monako udhëtim 360 euro. Monako 70 euro… të njëjtën ditë thotë udhëtim zyrtar në Austri 205 euro. Udhëtim i hotelit në Austri 782 euro, 360 euro ushqim. Të njëjtën ditë del në Amerikë, 547 euro. Shpenzime të hotelit 994 euro e ushqim zyrtar 960 euro. Prej Amerikës në Turqi të njëjtën ditë 205 euro mëditje për udhëtim, 360 euro shpenzime ushqim zyrtar në Turqi”, tha Zeka.
“Unë nuk po kuptoj çka është kjo. Mos të merret kjo se ka lidhje diçka me mu. Nuk flitet pse flitet kështu, me më zhyt mu. Të ndërprehet kjo”, tha Ramaxhiku.