Sot (e hënë) kremtohet 12-vjetori i Pavarësisë së Kosovës.
Në këtë ditë të rëndësishme nuk kanë munguar as urimet e artistëve shqiptarë të cilët kanë kontribuuar në njohjen e vendit.
Mes shumë yjeve, një urim së fundmi e ka bërë edhe tenori me famë botërore, Ramë Lahaj, teksa thur fjalët më të mira për Kosovën.
Ai po ashtu ka publikuar një pjesë të këngës së tij “Rrjedh në këngë e ligjërime”, të cilën e solli për 11-vjetorin e Pavarësisë.
“Urime Kosovë,12 vjet shtet! Nuk je e madhe por do të rritesh se të gjithë të vegjël ishim. Po të rrisim si sytë e ballit. Të duam për ditë e më shumë. Të gjithë ne bijtë e tu ta kemi borxh me t’u përkushtu me gjithë qenien tonë se na dhe frymë jetën, forcën, na ke bërë burra duke ecur zbathur nëpër gërmadhat e luftës së gjatë për liri”.
“Sot kemi dinjitet se jemi Kosovarë. Të dua, unë biri yt”, ka shkruar mes të tjerash tenori i njohur.
Rita Ora, Dua Lipa ishin ndër artistet e tjera që uruan Kosovën që njëherësh e kanë promovuar tejet shumë në botë, duke u treguar se nga vijnë dhe historinë e vendit të vogël por me vlera të mëdha.