Kryetari i Iniciativës “Për Drenasin Kampion”, Ramiz Lladrovci, tha se u rikthye në zyrën e vjetër, ku më parë ka qenë selia e Degës së PDK-së në Drenas, raporton Ekonomia Online.
Ai në konferencë për media tha se mbetet i përkushtuar për ta rikthyer partinë ashtu siç e kanë lënë liderët e saj historikë.
“Sigurisht që jam i gatshëm dhe vazhdoj të jem i gatshëm t’ia shtrij dorën secilit që partia shtetndërtuese dhe e lirisë të vazhdojë të jetë parti, ashtu siç e kanë lënë liderët tanë, jo si disa që e kanë keqpërdorur besimin e qytetarëve, do t’ia rikthejmë realitetit ngadalë. Kam qenë i koncentruar në fitoren e madhe të Drenasit. Këtë fitore ia kemi dedikuar liderëve tanë të luftës dhe paqes: Hashim Thaçit, Kadriut e të tjerëve, sepse ata e meritojnë unitetin dhe fitoren tonë. As nuk kam shkuar në pushime. Sigurisht që kam nevojë se nëntë vjet nuk kam shkuar në pushime. E keni parë që kemi pasur sulme dhe do t’i adresojmë të gjitha sulmet e pabaza në institucione të drejtësisë. E dini që nuk do të fali”, tha Lladrovci.
Lladrovci theksoi se asnjë betejë nuk e ka humbur në jetë, duke shtuar se është anëtar i devotshëm i PDK-së dhe se gjatë viteve ka arritur ta dobësojë Vetëvendosjen në Drenas.
“Asnjë betejë nuk e kam humbur në jetën time. Nuk e di çka ka folur në konferencë. Ia bëj me dije ka katër vjet që e kam ulur Vetëvendosjen në Drenas, sepse njerëzit e Vetëvendosjes na janë bashkuar prej kohësh. Nga pesë asamblistët të VV-së ka përfunduar me dy asamblistë. Unë kam qenë jam dhe mbetem anëtar i devotshëm i disiplinuar i PDK-së”, shtoi ai.
Lladrovci po ashtu tha se ende nuk e ka uruar Sami Lushtakun për rezultatin zgjedhor, ndërsa reagimet nga disa zyrtarë të partisë i cilësoi të pavlefshme.
“Nuk e kam uruar akoma Sami Lushtakun. Jam i lumtur që kam marrë vota më shumë se ai. Sepse e gjithë infrastruktura e tyre kanë kanë luftuar ta mposhtin Ramiz Lladrovcin. Akoma urime prej Hajdarit dhe as prej Krasniqit nuk kam marrë. Urime nëpër media për mua janë të pavlefshme”, shtoi ai.
