Kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos i është kundërpërgjigjur mbrojtësit të Barcelonës, Gerard Pique, për deklaratat që bëri ai se Reali të dielën luajti një nga pjesët e para më të dobëta ndonjëherë.
Real Madridi triumfoi të dielën në shtëpi ndaj Barcelonës me rezultatin 2:0, duke u ngjitur në krye të renditjes në La Liga. Ka një pikë më tepër se Barcelona që gjendet në vendin e dytë.
“Duhet respektuar opinionin e çdokujt. Por, unë do të firmosja menjëherë që të fitonim gjitha Clasicot duke luajtur një pjesë të parë aq të keqe siç thotë ai. Qasja ishte ndryshe. Në pjesën e parë, ne lejuam ata të kenë topin dhe në të dytën vendosëm të sulmonim. Ata nuk ishin aq të freskët, kështu që nisëm të krijonim raste”, ka thënë Ramos për gazetën “AS”, transmeton Koha.net.
Pique ka thënë se Barcelona ka lëshuar një rast ideal për të fituar ndeshjen ndaj Realit dhe për t’u shkëputur në krye.
“Në pjesën e parë ishte Real Madridi më i dobët ndaj të cilit kam luajtur në Bernabeu ndonjëherë. Por, ne lëshuam rastin që të lëndonim Realin. Duhet të luajmë më mirë se që luajtëm në pjesën e dytë. Ne humbëm topin shumë dhe lojtarëve të Realit iu rrit besimi. Kam ndjenjën se humbëm një mundësi të rëndësishme”, ka thënë Pique.