Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se ka tendenca të përmirësimit të situatës në Deçan, pas helmimit të një numri të madh të qytetarëve.
Ai në Info Magazine ka deklaruar se akoma janë të shqetësuar me këtë gjendje pasi nuk e dinë shkakun.
“Ka tendenca të përmirësimit duke e krahasuar ditën e sodit me atë të djeshmen. Por shqetësimi është duke vazhduar, pasi ende ka pacientë të cilët janë duke shkuar në Qendrën Kryesore Familjare në Deçan për të kërkuar ndihmë. Shqetësimi po vazhdon të jetë i rritur, sepse është dita e pestë dhe ende nuk po e dimë se nga është ardhur ky helmim tek qytetarët”.
Ramosaj ka theksuar se edhe në muajin qershor kanë pasë helmim të qytetarëve por në numër më të vogël.
“Kemi pasë situatë të ngjashme por ka qenë më e izoluar, ku kishim jo më pak se 13 apo 14 persona të fshatrave të caktuara që janë lajmëruar se kanë qenë të helmuar. Në dhjetë ditshin e parë të muajit qershor të këtij viti, ishin bërë analizat e ujit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës këtu në Pejë si dhe nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini”, pas rezultateve ka dalë se uji ishte në rregull”.
“E njëjta përgjigje është dhënë edhe tani kur kjo situatë është shumë më enorme, ku janë diku më shumë se 1,700 persona që kanë kërkuar ndihmë në institucionet shëndetësore, diku vetëm 1,500 njerëz janë në QKMF-në në Deçan, mbi 254 persona iu janë drejtuar klinikave private, më shumë se 34 persona janë në QKMF-në në Gjakovë si dhe mbi 80 persona janë në QKMF-në në Pejë”.
I pari i Deçanit ka treguar se nuk do të ndalen deri në gjetjen e shkakut të helmimit, deri tani janë bërë analizat e ujit dhe kanë dalë negative.
“Një prej lajmeve të mira është që nuk ka dalë helmim në analizat e ujit, nuk duhet me u ndal deri në gjetjen e faktorëve, jam duke këmbëngulur që qytetarët e Deçanit dhe të Kosovës të dinë se cilët janë faktorët që e kanë shkaktuar këtë si dhe të kemi qetësi dhe të jetojmë në një ambient që është për të jetuar në të”.
“Janë duke vazhduar të bëhen të gjitha analizat e mundshme, derisa ta kemi një përfundim duhet të vazhdojmë, duhet të vazhdojmë deri sa ta kemi përgjigjen për atë që ka ndodhur. Edhe institucionet tjera jo vetëm IKSHPK-ja, edhe nivelet ushtarake në këtë Komunë janë duke bërë testimin e ajrit, derisa ta kemi një përgjigje. Kur të gjenden faktorët atëherë do të përfundojë gjithçka”, ka thënë Ramosaj.