Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj thotë se gjendja në Deçan vazhdon të jetë e rëndë.
Ai thotë se pritshmëritë kanë qenë që sot të përfundojë situata emergjente por nuk ka ndodhur kështu.
“Edhe sot kemi pasur rreth 184 pacientë që kanë kërkuar tretman. Ka pacientë që kanë kërkuar tretman për herë të dytë apo tretë, por shqetësimi është që ka pacientë që vijnë për të kërkuar ndihmë për herë të parë”, tha ai në “Debat Plus”.
I pari i Deçanit thotë se shpresojnë që dita e sotme do të përfundojë më mirë se ajo e djeshme.
Ai thotë se tashmë kanë barna më shumë dhe pacientët po trajtohen në mënyrë më të dinjitetshme.
Ramosaj thotë se gjendja emergjente në Deçan nuk do të largohet pa u sqaruar rrethanat pse ka ardhur deri te ky infektim.
“Për heqjen e gjendjes emergjente vendos këshilli që e ka vendosur këtë gjendje, por para se gjithash gjendja hiqet kur të mësohet shkaku pse ka ardhur deri te ky helmim”, tha ndër të tjera Bashkim Ramosaj.