Qenkan aktivizuar sërish kuzhinat që prodhojnë propagandë e sulme meskine kundër cilitdo apo cilësdo që ua cenon pushtetin apo hapësirën e merituar publike. Këtë herë kundër Ramush Haradinajt.
Paradite filluan me shpifje në portalet fantome se kinse ish pjesëtari i mbrojtjes së afërt të tij (polic i Kosovës) paska vrarë një person në Gjilan. Pasdite me marionetën mediatike që jeton në Zvicër. Populli thotë, gjuha shkon aty ku është dhimbja. E burimin e dhimbjes, egërsisë, e zemërimit mund ta kenë në secilën nga sukseset e mëposhtme:
I. Ramush Haradinaj është ai kryeministër që ka falimentuar Serbinë e satelitët e saj, ku nga 530 milionë euro vlerë të mallrave të importuara në Kosovë, sot importojnë vetëm 6 milionë.
Kjo vlerë 6 milionëshe (mes importeve tjera), ka kontribuar që Dogana e Kosovës të mbledhë 1.2 miliardë euro të hyra, që i bjen rreth 30% më shumë se qeverisja e kaluar, dhe kjo jo vetëm për shkak të taksës 100%, por edhe për shkak të luftimit të kontrabandës dhe ekonomisë informale, përfshirë veriun e vendit ku përpara shkohej vetëm me helikopterë. Pyeteni Doganën për informata më të hollësishme.
Sot Kosova e ka Gjermaninë si importuesin nr 1, e jo Serbinë, ndërkaq importi nga Shqipëria është rritë për 10%, pavarësisht taksës rrugore të Edi Ramës.
II. Ramush Haradinaj arriti t’ia rikthejë Kosovës sovranitetin e dorëzuar në tavolinat e Brukselit. Nuk i gënjeu miqtë amerikanë, britanikë e gjerman se Kosova është gati për shkëmbim territorresh me Serbinë (lexo: ndarje), dhe ua tha të vërtetën se populli i Kosovës nuk do të përqafojë këtë ide luftënxitëse, por as Dodik Republikën përmes Asociacionit të Komunave serbe, me pushtet ekzekutiv – i cili ishte edhe qëllimi real i Serbisë!
III. Ramush Haradinaj veproi i vendosur me ligjet për transformimin e FSK-së në ushtri, ashtu siç e parashah Kushtetuta. Ushtria e Kosovës sot është ushtri inteligjente, që po forcohet çdo ditë me pajisje të standardit të fundit të NATOs, e gatshme për pjesëmarrje në misione ushtarake në botë.
IV. Ramush Haradinaj e largoi Trepçën nga dialogu, për të cilën thuhej se do të jetë temë diskutimi në një nga sesionet e negociatave me Serbinë në Bruksel. Sot ajo është gati për investime.
V. Ramush Haradinaj zgjidhi në kohë rekorde mosmarrëveshjet me banorët e Hades e Shipitullës, duke ia ndalur Kosovës humbjet financiare prej 35 milionë euro në muaj për shkak të mos-punës së eskavatorëve për mihjen e thëngjillit dhe prodhimin e rrymës.
VI. Ramush Haradinaj e bëri Prishtinën me ligj dhe status kryeqytet, ashtu siç e meriton e siç e thotë Kushtetuta. Prishtinës iu rikthye pronësia mbi Pallatin e Rinisë, e (mes tjerash) iu dha edhe e drejta për spitalin e qytetit, dhe zvogëlimin e kërkesavë shëndetësore drejtë QKUK-së.
VII. Ramush Haradinaj ua njohu statusin viktimave të dhunës seksuale, 20 vjet pas përfundimit të luftës.
Dhe shumë të tjera. Nuk ka asgjë aksidentale në këtë punë e dashuri të sinqertë ndaj Kosovës. Aksidental është misteri pse ende marioneta nuk është dekretuar ambasador në Kroaci, pas gjithë këtyre favoreve që po ia bën kundërshtarëve politik të Ramush Haradinajt… mesiguri se iu duhet edhe pak si kryekuzhinier në kuzhinën e tij shpifëse.
Rruga e gjatë nuk na lodhë. As lufta. As gropat. As goditjet prapa shpine. I shohim të gjitha qartë. Dhe për fatin tuaj të keq, zemërimi do ju mbajë gjatë, sepse lista e arritjeve të Kosovës do të rritet çdo ditë më shumë. E kësisoji, kryeredaktorëve të portaleve fantome që bartin tituj partiak e shtetërorë, do iu ngushtohet hapësira e (keq)veprimit politik.