Sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani do të mbetet pjesë e Rapidit të Bukureshtit, por ekipi nga Rumania nuk e ka përjashtuar mundësinë e shitjes së tij deri në fund të afatit kalimtar të verës.
Drejtuesit e Rapidit po presin ofertën e duhur për Rrahmanin, për të cilin ka pasur interesim të madh nga skuadrat e ndryshme evropiane.
Te Rapidi po e vlerësojnë Rrahmanin 6 milionë euro, por janë të gatshëm të pranojnë ofertën edhe në vlerë prej 4 milionë eurosh.
Victor Angelescu, bashkë-pronari tek ekipi rumun, ka thënë se tashmë ka biseduar me Rrahmanin, i cili është i gatshëm të qëndroj në klub por nëse Rapidi arrin marrëveshje me një skuadër për shitjen e tij, atëherë ai do të largohet.
“Rrahmani dëshiron të mbetet te Rapidi dhe këtë nuk e kemi problem, por nëse marrim ofertë të mirë dhe arrijmë marrëveshje për shitjen e tij, atëherë ai do të largohet”, ka thënë Angelescu.
Rrahmani ka kontratë me Rapidin deri në vitin 2026, ndërsa ekipit nga Rumania iu bashkua nga Ballkani verën e shkuar për 600 mijë euro.
23-vjeçari ka shpërthyer në edicionin e tij të parë në Rumani, ku realizoi 17 gola dhe bëri 5 asistime në 26 paraqitje.