Raportet e ShBA-së me qeveritarët e Kosovës – do të ketë pasoja nëse nuk stabilizohen

Prishtinë | 11 Jan 2025 | 09:30 | Nga Gzim Mujaj

Kryetari i “Shoqatës Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, ka apeluar për një qasje më të përgjegjshme dhe të organizuar të institucioneve të Kosovës në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke paralajmëruar për pasoja të mundshme nga krisja e marrëdhënieve ndërmjet qeveritarëve të Kosovës dhe SHBA-së.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se bashkëpunimi i Qeverisë së Kosovës me ShBA-në gjatë vitit që e lamë pas është për çdo kritikë. 

Rexhepi vuri në dukje se as shtetet më të fuqishme, si Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, nuk mund të marrin vendime të rëndësishme ndërkombëtare pa koordinim me SHBA-në, duke e theksuar kështu rëndësinë e mbështetjes amerikane për stabilitetin e Kosovës.

Ai nënvizoi se për një shtet të sapoformuar si Kosova, që përkrahjen më të madhe e ka nga SHBA-ja, koordinimi i ngushtë me këtë partner strategjik është vendimtar.

“Për mua është për çdo kritik, edhe shtetet më të fuqishme të botës Gjermania, Franca, mirëpo edhe Britania dhe shumë shtete të tjera nuk marrin vendime të jashtëzakonshme pa një koordinim apo pa një konsolidim me ShBA-në. Me këtë dua të deklaroj atë anën pragmatike, që nëse nuk ke një përkrahje të fuqishme nga ShBA-ja, shtet e mëdha kanë problem që t’i zbatojnë ato, atëherë nëse ato kanë problem sa mund të ketë një shtet i sapo formuar, sa mundet të ketë një shtet që sponsorizues të pavarësisë i kemi ShBA-në, sa mund të ketë autoritet edhe ndikim edhe forcë një shtet i cili njohjen më të madhe e siguroj nga ShBA-ja. Sikur mos t’i kemi ShBA-të edhe sikur mos të jemi në koordinim sa mund t’i mbrojmë këto territore”, ka thënë ai. 

Duke iu referuar sfidave të fundit, Rexhepi kritikoi institucionet për mungesë të parapërgatitjes në diplomaci dhe ndërmarrjen e hapave të paplanifikuar. Ai kërkoi që raportet me SHBA-në të stabilizohen dhe të zhvillohet një strategji e qartë për adresimin e çështjeve ndërkombëtare.

“Këtë po e deklaroj me qëllimin më të mirë që institucionet tona kredibile në krye me kryeministrin Kurti, dhe institucionet tjera, si Ministria e Punëve të Jashtme, është dashur që të jenë shumë të vetëdijshëm për deklarata për komunikime, organizimet, për parapërgatitje e terrenit diplomatik, për ndërmarrjen e veprimeve si në veri, si në institucione të tjera. Po ashtu edhe të fillohet një fushatë e jashtëzakonshme senzibilisuese në arenën ndërkombëtarë për veprimet e Qeverisë Kurti, për atë që mendon se duhet zbatuar gjatë qeverisjes së tij”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Rexhepi ka bërë thirrje që secila do qeveri që do të vijë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, si pikë kryesore të ketë stabilizimin e raporteve me ShBA-në, kjo pasi sipas tij, raportet e fundit me ta janë të krisura. 

“Pika kryesore të stabilizohen raportet, çdo njeri e ka vërejtur që raportet janë të krisura, pra elementi i parë është stabilizimi i raporteve, asnjëherë nuk është në rrezik raporti apo mirëqenie të ShBA-së me Kosovën, janë problem raportet e ShBA-së me qeveritarët e Kosovës, kjo do të ketë pasoja nëse ne nuk e stabilizojmë, unë apeloj te qeveria e re, e cila do të krijohet, të kenë kujdes të jashtëzakonshëm se kënd do ta vendosin në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Elementi tjetër duhet të ndërrohet strategjia edhe në raport me ambasadorët tonë sepse duhet të kërkohet një punë edhe më e madhe me qëllim të lobimit dhe avancimit të elementit tonë strategjik, ekonomik e politikë”, ka thënë Rexhepi për Ekonomia Online.

Të ngjashme