Raporti i “FOL” për transparencën në drejtësi: Përmirësime në KGJK, sfida të vazhdueshme në KPK

Prishtinë | 16 Dhj 2025 | 10:32 | Nga Gzim Mujaj

Lëvizja “FOL” ka mbajtur konferencën përmbyllëse të projektit trevjeçar “Ngritja e Transparencës dhe Integritetit në Sektorin e Drejtësisë në Kosovë”, ku janë prezantuar rezultatet e arritura në monitorimin e institucioneve të drejtësisë, rritjen e transparencës dhe forcimin e llogaridhënies në Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Në këtë konferencë u theksua se projekti ka kontribuar në forcimin e mbikëqyrjes së shoqërisë civile, rritjen e qasjes së qytetarëve në drejtësi dhe nxitjen e publikimit të vendimeve disiplinore, me qëllim rritjen e besimit publik në sistemin e drejtësisë.

Drejtorja Ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli Nimani, tha se organizata është fokusuar në tri shtylla kryesore: monitorim, avokim dhe ndërtim kapacitetesh. Ajo theksoi se përmes monitorimit të rregullt të punës së KGJK-së dhe KPK-së është forcuar mbikëqyrja e shoqërisë civile, me fokus në transparencën, efikasitetin e takimeve, respektimin e afateve ligjore dhe angazhimin e anëtarëve.

“Ne jemi fokusuar në tri shtylla kryesore: monitorim, avokim dhe ndërtim kapacitetesh, duke arritur këto rezultate. Forcuam mbikëqyrjen e shoqërisë civile përmes monitorimit të rregullt të punës së KGJK-së dhe KPK-së, me fokus në transparencën, efikasitetin e takimeve, respektimin e afateve ligjore dhe angazhimin e anëtarëve. Është rritur qasja në drejtësi e qytetarëve për qytetarët me fokus të veçantë tek të rinjtë përmes hartimit dhe shpërndarjes së një udhëzuesi praktik mbi të drejtat ligjore dhe procedurat ligjore. Projekti kontribuoi në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies duke nxitur publikimin e vendimeve disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve në faqet zyrtare të institucioneve përkatëse me qëllim forcimin e besimit dhe mbikëqyrjes publike”, tha ajo.

Udhëheqësi i Zyrës për Sundim të Ligjit dhe të Drejtat e Njeriut në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Jarmo Helppikangas, vlerësoi bashkëpunimin me Lëvizjen FOL, duke theksuar se dëshira për të ardhmen është vazhdimi i këtij bashkëpunimi frytdhënës dhe shndërrimi i drejtësisë në një fenomen real në jetën e përditshme.

“Ajo që do të doja të uroja për të ardhmen është që ta vazhdojmë këtë bashkëpunim frytdhënës dhe ta bëjmë drejtësinë një fenomen real në jetën e përditshme, e jo vetëm një teori që mbetet në ajër”, tha ai.

Përfaqësuesja e Lëvizjes “FOL”, Burbuqe Kastrati, prezantoi gjetjet e raporteve trevjeçare të monitorimit të KGJK-së dhe KPK-së. Ajo tha se nga analiza krahasuese e raporteve, veçanërisht për vitet 2023 dhe 2024, rezulton se te KGJK janë vërejtur përmirësime sa i përket publikimeve sistematike të vendimeve dhe informatave të qarta për zbatimin e tyre, ndërsa te KPK-ja vazhdojnë të evidentohen probleme në këtë drejtim.

Ajo theksoi se “FOL” ka rekomanduar që KPK-ja të angazhohet më shumë në publikimin e vendimeve, përfshirë edhe ato disiplinore ndaj prokurorëve, duke shtuar se e njëjta gjë vlen edhe për KGJK-në.

“’FOL’ për tri vite ka publikuar raporte të cilat kanë të bëjnë me monitorimin e dy këshillave dhe nëse e bëjmë një masë krahasimtare, nëse bëjmë një analizim të gjeturave të raportit të vitit 2023, do të kemi që te KGJK kemi vërejtur përmirësime për sa i përket publikimeve sistematike të vendimeve, informacionit të qartë në zbatimin e tyre, ndërsa te KPK kemi hasur që vazhdon t’i ketë problem sa i përket kësaj performance. Sa i përket KGJK-së, gjetjet e vitit 2024 tregojnë se sfidat e identifikuara në vitin 2023 vazhdojnë të jenë të njëjta. Publikimi i agjendave shpesh është i vonuar, respektimi i gjuhëve zyrtare mbetet problematik dhe numri i vendimeve të publikuara sa i përket rasteve disiplinore të prokurorëve mbetet i ulët. FOL ka rekomanduar që është e rëndësishme që KPK të angazhohet më shumë në publikimin e vendimeve, duke marrë parasysh edhe vendimet disiplinore ndaj prokurorëve. E njëjta gjë ka vlejtur edhe për KGJK-në.

Zëvendëskryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Arjeta Sadiku, tha se KGJK ka ndërtuar standarde me qëllim rritjen e transparencës dhe besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Ajo theksoi se këto standarde synojnë garantimin e qasjes së barabartë në drejtësi, rritjen e besimit të publikut dhe forcimin e përgjegjësisë në të gjitha nivelet gjyqësore.

“KGJK ka ndërtuar standarde me qëllim të rritjes së transparencës dhe besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Këto janë bërë me qëllim që të garantohet një qasje e barabartë në drejtësi për të rritur besimin e publikut dhe për të forcuar përgjegjësinë në të gjitha nivelet gjyqësore. Me qëllim të transparencës dhe llogaridhënies, KGJK mban takimet online përmes platformës zyrtare ku të gjitha vendimet janë publike, përveç atyre çështjeve disiplinore. Në fillim të këtij viti Këshilli ka miratuar udhëzimin administrativ për publikimin e vendimeve gjyqësore, përmes së cilit gjykatat publikojnë në kohë reale të gjitha vendimet gjyqësore me përjashtim të disa çështjeve penale. Për t’u afruar gjyqësorin me publikun janë mbajtur aktivitete si ditët e hapura me gjyqësorin”, tha ajo.

Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Visar Krasniqi, tha se transparenca për të dhënë efektin e saj kërkon dy hapa kryesorë: dokumente të mira strategjike me veprime konkrete dhe objektiva të qarta, si dhe monitorimin e zbatimit të tyre.

Krasniqi shtoi se rreth 80 për qind e kërkesave janë për dokumente që duhet të ishin publike, duke theksuar se kjo tregon nevojën për ndryshim të qasjes dhe përmirësim të objektivave, veçanërisht në raport me publikun.

“Në bindjen time, transparenca për ta dhënë efektin e vet janë dy hapa kryesorë. E para, duhet të kemi dokumente të mira strategjike me veprime konkrete dhe me objektiva të qarta. Edhe KPK këtë vit ka miratuar strategjinë dhe planin e veprimit për vitin 2025–2027. Por këto dokumente nuk janë të mjaftueshme që ne të jemi përgjegjës, transparentë dhe llogaridhënës në raport me publikun. Hapi i dytë është monitorimi i këtyre dokumenteve dhe veprimeve të cilat i kemi paraparë si institucione për t’i arritur objektivat që i kemi vendosur përpara. Janë 80 për qind kërkesa për dokumente që duhet të ishin publike dhe neve na bën që puna jonë duhet të ndryshojë dhe objektivat duhet të ndryshojnë, sidomos në raport me publikun”, tha ai.

Të ngjashme