Pa u ndaluar projektet destabilizuese si “Bota Serbe” dhe pa ndodhur çmontimi i tërësishëm i strukturave paralele në veri të shtetit të Kosovës, Ballkani Perëndimor (BP) nuk mund të ketë e as të ecë drejt paqes së qëndrueshme dhe integrimit euroatlantik.
Ky është vlerësimi i nxjerrë në raportin e fundit të Shërbimit të Sigurisë dhe Inteligjencës së Kroacisë (SOA).
Në mesin e shumë vlerësimeve për Kroacinë dhe shtetet fqinje, raporti i ka vendosur theks të veçantë situatës së Kosovës dhe ngjarjeve që kanë shënuar veriun e saj që banohet kryesisht nga serbë.
Sipas SOA-s, Kroacia, Kosova dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor mbeten zona kyçe për sigurinë evropiane dhe interesat strategjike të Bashkimit Evropian.
Krejt kjo, derisa në këtë mes, sipas raportit nuk dytët Serbia dhe ideja e saj për një ‘Botë serbe’.
“Bota Serbe” paraqitet si një nga kërcënimet më serioze për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ky koncept politik dhe nacionalist, i promovuar aktivisht nga autoritetet në Beograd, synon krijimin e një hapësire të unifikuar serbe që përfshin pjesë të Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës”, vlerëson raporti i inteligjencës kroate, e cila vlerëson se ky projekt është modeluar sipas konceptit të njohur rus “Bota Ruse”, i cili promovohet nëpërmjet mediave ruse të cilat veprojnë në Serbi
“Projekti përbën një formë të veprimit hibrid – një përzierje e presionit politik, ndikimit përmes mediave, strukturave ilegale dhe rolit të Kishës Ortodokse Serbe. Rusia mbështet këtë projekt si në nivel diplomatik, ashtu edhe përmes kanaleve të inteligjencës dhe propagandës, duke përdorur platforma mediatike si Sputnik dhe RT Balkan për të përhapur narrativa anti-perëndimore dhe për të nxitur tensione ndëretnike në rajon. Mediumet veprojnë nga territori serb për të përhapur narracione anti-perëndimore dhe për të nxitur tensione etnike në Ballkan” thotë raporti.
Në raport zë vend edhe sulmi terrorist i Banjskës i ndodhur në shtator të vitit 2023. Aty përshkruhet në detaje sulmi dhe akterët që ishin pjesmarrës, nga të cilët mbeti i vrarë një polic i Kosovës.
“Ky grup paraushtarak serb sulmoi Policinë e Kosovës, derisa përgjegjësinë për aktin e mori Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe figurë e afërt me pushtetin në Beograd. Pas sulmit ai u strehua në Serbi,. Është marrë në pyetje, por ende nuk është ndjekur penalisht e shëtitet i lirë. Deri më tani nuk është zbardhur plotësisht se si u organizua ky grup dhe si arriti të pajiset me armatim të rëndë me origjinë ushtarake”, thotë raporti sipas të cilit sulmi terrorist kishte për qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë në veri të Kosovës dhe sabotimin e dialogut Kosovë-Serbi.
E derisa Kosova u vu përpara këtij rreziku, inteligjenca kroate ka vlerësuar lartë veprimet e institucioneve të Kosovës për mbylljen e strukturave paralele serve në veri të vendit tonë.
“Këto struktura të paligjshme prej vitesh kanë funksionuar si zgjatim informal i ndikimit të Beogradit. Prandaj, mbyllja tyre ishte veprim i ligjshëm dhe jetik për stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit. Kjo bën që Kosova të forcojë sovranitetin shtetëror në atë pjesë të territorit dhe të kufizojë ndikimin e Beogradit”, vlerëson raporti, sipas të cilit këto struktura, pos që operojnë në kundërshtim me rendin kushtetues të Kosovës, ato përbëjnë një pengesë të madhe për integrimin institucional dhe për ruajtjen e sovranitetit të vendit në veri.
“Prandaj mbyllja e tyre konsiderohet si një hap thelbësor për forcimin e autoritetit shtetëror dhe për parandalimin e eskalimeve të mëtejshme të dhunës. Ishte një domosdoshmëri strategjike për paqen dhe sigurinë në rajon”, thuhet në raport.