Raporti i fundit: Rritet vlera e kontratave njëburimore për 38 milionë euro

Prishtinë | 23 Pri 2024 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Kontratat njëburimore gjatë vitit 2023 kanë shënuar rritje për gati 38 milionë euro më shumë. Për këto kontrata Qeveria Kurti është kritikuar në vazhdimësi. Ndërkohë, raporti i Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) thekson se gjatë vitit 2023 janë nënshkruar 10 mijë e 83 kontrata me vlerë prej 810 milionë eurove. Çka thuhet në raport?

Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) ka publikuar raportin vjetor, ku ndër të tjera është konfirmuar rritja e kontratave njëburimore.

Gjatë vitit 2023, në Kosovë janë zhvilluar 12 mijë 397 aktivitete të prokurimit dhe janë nënshkruar 10 mijë e 83 kontrata në vlerë prej 810 milionë e 438 mijë euro apo rreth 251 milionë e 420 mijë më shumë se në vitin paraprak.

Por ajo që duhet të theksohet është se sipas këtij raportit, 117 milionë e 258 mijë euro është vlera e kontratave që janë nënshkruar duke e ndjekur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

Këto kontrata kanë shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar ku vlera e tyre ishte 78 milionë e 569 mijë euro. Pra në vitin 2023 është rritur vlera e kontratave për 38 milionë 689 mijë apo 49.22 për qind më shumë.

Ndërkohë, në raport janë treguar edhe vlerat e kontratave duke ndjekur procedurat e tjera të prokurimit publik.

“Vlera e kontratave të nënshkruara sipas procedurës së hapur gjatë vitit 2023 është 665,768,974.50€, derisa sipas procedurës së kufizuar gjatë vitit 2023 13,176,422.33€. Vlera e kontratave të nënshkruara sipas procedurës konkurs projektimi, gjatë vitit 2022,është 3,037,845.48€, dhe sipas procedures konkurruse me negociata, gjatë vitit 2023 është 112,7540.74€, kurse sipas procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës është 117,258,922.10€ dhe vlera e kontratave të nënshkruara sipas procedurës së hapur kuotim i çmimeve, gjatë vitit 2023 është 7,799,039.20€. Ndërkaq, sipas procedurës për vlerë minimale, vlera e kontratave të nënshkruara, gjatë vitit 2023,është 2,269,659.05€.” – thuhet ne raport, raporton Nacionale.

Gjithashtu, raporti thekson se ka rritje edhe të kontratave të nënshkruara duke përdorur kriterin “Tenderi me çmimin ekonomikisht më të favorshëm” në krahasim me kriterin e dhënies “Oferta e përgjegjshme me çmimin më të lirë” me rreth 9 për qind më shumë se në vitin 2022.

“Rritja e dukshme e vlerës totale të kontratave të nënshkruara duke përdorur kriterin e dhënies “Tenderi me çmimin ekonomikisht më të favorshëm” në krahasim me kriterin e dhënies “Oferta e përgjegjshme me çmimin më të lirë”. Gjatë vitit 2023 vlera totale e kontratave me përdorim të kriterit të dhënies “Tenderi me çmimin ekonomikisht më të favorshëm” ka arritur në 114,973,518.00€ ose rreth 14.19% të të totalit të kontratave të nënshkruara gjatë vitit 2023 apo për rreth 9% më shumë se sa në vitin paraprak.” – thotë raporti.

Për çka u nënshkruan këto kontrata?

Qeveria Kurti gjatë mandatit të saj është kritikuar për mungesën e investimeve kapitale. Këto të dhëna i konfrimon edhe raporti i KRPP-së, ku tregon që kontratat e nënshkruar për punë nuk janë brenda pritshmërive.

Vlera e kontratave të nënshkruara për punës gjatë vitit 2023 është 473 milionë euro.

“Bazuar në llojin e prokurimit, që kontratat kanë si objekt të tyre, në tabelën nr. 9.4 dhe grafikonin nr. 9.5 vlera e kontratave të nënshkruara për furnizime gjatë vitit 2023 arrin në 228,085,606.78€. Vlera e kontratave të nënshkruara për shërbime është 105,611,002.00€, dhe vlera e kontratave të nënshkruara për konkurs projektimi është 3,299,192.48€. Ndërsa vlera e kontratave të nënshkruara për punë arrin në 473,442,602.14€” – thuhet në raport.

Më tej, raporti vë në pah edhe rritjen e ankesës së kontratave e cila kap vlerën e 7 milionë e 542 mijë eurove.

Kujtojmë se Qeveria Kurti dhe është kritikuar për lidhjen e kontratave njëburimore. Opozita ka kërkuar formimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për hetimin e këtyre kontratave.

Nënshkrimi i kontratave njëburimore është përmendur edhe në Raportin e Progresit, ku është kritikuar mungesa e transparencës.

Të ngjashme