Raporti i OKB-së për Kosovën: Përmenden ngjarjet e 31 korrikut në veri të vendit

Prishtinë | 14 Tet 2022 | 09:35 | Nga Ekonomia Online

Në raportin e rregullt gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për Kosovën, i cili do të prezantohet më 18 tetor në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, thuhet se retorika e shtuar mes Beogradit dhe Prishtinës dhe përshkallëzimi i tensioneve në terren pati ndikim në progresin në normalizimin e marrëdhënieve në periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator 2022.

Siç thuhet në raportin e publikuar në faqen e OKB-së, të dyja palët debatuan më së shumti për votimin për Kosovën gjatë zgjedhjeve në Serbi, çështjen e lirisë së lëvizjes dhe zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme për çështjet energjetike dhe Asociacioni i Komunave Serbe.

“Tensionet dhe retorika e nxehtë gjatë periudhës së mbuluar nga ky raport përshkruajnë situatën e brishtë në terren. Ngjarjet e 31 korrikut në veri të Kosovës, si reagim ndaj vendimeve të qeverisë së Kosovës lidhur me lirinë e lëvizjes, ishin një përshkallëzim serioz, i cili e solli situatën në prag të ballafaqimit me pasoja potencialisht tragjike”, thuhet në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Mbështetja e vazhdueshme e zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë ndihmoi në uljen e tensioneve dhe ruajtjen e angazhimit në dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, theksoi Guterres.

Guterres vuri në dukje se paqja mbizotëroi falë angazhimit të gjerë të diplomatëve, duke theksuar se rëndësia e përmbajtjes dhe e përkushtimit ndaj dialogut për të zgjidhur mosmarrëveshjet nuk mund të theksohet sa duhet.

Takimi i nivelit të lartë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i ndihmuar nga Bashkimi Evropian më 18 gusht, tregoi përkushtimin e tyre për zgjidhje paqësore përmes dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, theksoi Guterres në raport dhe u bëri thirrje të dyja palëve të vazhdojnë angazhimin për të ruajtur integritetin e procesit të dialogut dhe për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura.

Sipas të dhënave të UNHCR-së, nga data 16 mars deri më 15 shtator 2022, në Kosovë janë kthyer 120 persona të dëbuar më parë, prej të cilëve 102 serbë.

Numri i përgjithshëm i të kthyerve që nga viti 2000 arriti në 29,285 persona.

Të ngjashme