Raporti i Progresit për Shqipërinë, Rama: Më pozitivi, bazohet në fakte dhe jo perceptime

Prishtinë | 31 Tet 2024 | 12:28 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato i ka dorëzuar ditën e sotme kryeministrit shqiptar, Edi Rama Raportin e Progresit të Komisionit Evropian 2024.

Gjatë fjalës së tij në një konferencë të përbashkët për mediat me ambasadorin Gonzato, kryeministri Rama është shprehur se ky është raporti më pozitiv që Shqipëria ka marrë ndër vite nga Komisoni Evropian.

Më tej, Rama ka theksuar se Raporti i Progresit për Shqipërinë është dokumenti më i plotë dhe i besueshëm i bazuar në fakte dhe jo mbi perceptime apo sondazhe.

Edi Rama: Unë e kam thënë më shumë se 1 rast dhe sot është rasti, raporti i progresit është dokumenti më i plotë dhe më i besueshëm ndërkombëtar që Shqipëria merr dhe mbi të cilin ne referohemi fjali për fjali në kuptimin e plotë të fjalës sepse është i vetmi raport që bazohet vetëm në fakte dhe jo në perceptime apo sondazhe dhe që i referohet fakteve nën dritën e parimeve evropiane.

Më vjen shumë mirë që ne sot marrim një raport shumë pozitiv, raporti më pozitiv i gjithë këtyre viteve sepse e tillë është edhe ecuria e vendit dhe Konferenca e 2 Ndërqeveritare afirmoi njohjen nga të gjitha institucionet të përparimit të bërë në përmbushjen e kushteve për këtë fazë.

Raporti është real dhe i balancuar dhe siç njeh të gjithë progresin, shënjon dhe piketat për hapat që duhen bërë më tej dhe çështjet që duhet të përqëndrohemi dhe në paraqitjen e përmbledhur të ambasadorit ishte e qartë se cilat janë adresimet që duhen bërë në këtë fazë të re të procesit. Ky proces është një proces që vazhdon, por cilido që dëshiron të kuptojë dhe të mësojë se ku ndodhet sot Shqipëria, bën mirë ta lexojë këtë raport sepse askund nuk do të gjejë një panoramë më të vërtetë të situatës së vendit.

Rama ka veçuar në mënyrë të përmbledhur disa nga fushat që progresi-raporti evidenton se është bërë përparim në Shqipëri gjatë 12 muajve të fundit.

Edi Rama: Së pari, drejtësia: Përtej të gjitha polemtikave, raporti bën një vlerësim të lartë të zbatimit të reformës në drejtësi dhe thekson se kjo reformë ka çuar në përmirësime të ndjeshme. Patjetër që ka pika të caktuara që duhen adresuar dhe boshllëqe që duhen mbushur. Më shumë të drejtë, KE vlerëson punën e SPAK-ut, avancimin më tej në ndjekjen përmes hetimeve të thelluara të rasteve komplekse të korrupsionit, përfshirë dhe ato në lidhje të larta politike.

Ekonomia dhe rritja e mirëqenies: Raporti e konfirmon rritjen ekonomike të vendit dhe përgatitjen e mëtejshme të Shqipërisë për një ekonomi tregu funksionale në bazë të kushteve që garanton BE në çdo vend anëtar të tij. Rritja ekonomike ka qenë e fortë dhe po ashtu mbështetja e kësaj rritje në rritjen e turizmit është një fakt. Raporti vlerëson performacën e përmirësuar fiskale të vendit dhe uljen e borxhit publik.

Së treti ka një pikë që po e ndaj veç, është progresi i mirë dhe afrimi më shumë drejt kritereve për anëtarësim në BE në fushën e energjisë që është një fushë kritike dhe në fushën e certifikimit të operatorëve. Vazhdimi i punës dhe rritja e investimeve në energji, si dhe ambicia për t’u bërë një vend eksportues neto të energjisë brenda kësaj dekade, janë elementë të rëndësishëm që përfaqësojnë transformimin që po vazhdojmë të bëjmë në këtë sektor.

Së katërti, dixhitalizimi: Shqipëria lider në rajon dhe procesi i transformimit të shërbimeve publike, proces që na ka vendopsur në një bazë të mirë.

Së pesti, politika e jashtme dhe e sigurisë që vlerësohet me notat maksimale. Kush flet për BE-në, për integrimin europian, kush del në ekrane për të shkruar për këtë proces, bën mirë ta lexojë këtë raport sepse është një bazë të dhënash për të folur gjëra që bëjnë sens kur flasim për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Pasqyra më besnike e realitetit të zhvillimit në 12 muajt e fundit. Europa dhe BE janë bekimi më i madh për një vend si Shqipëria. Ne jemi nxnës ambicioz në këtë proces./Tvklan

Të ngjashme