Raporti “Llogaridhënia dhe transparenca e organeve kolegjiale, peng i LPPA-së”, Shala: Ligji e ka vendosur mbylljen e organeve kolegjiale si rregull

Prishtinë | 03 Sht 2026 | 10:27 | Nga Ekonomia Online

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka publikuar raportin “Llogaridhënia dhe transparenca e organeve kolegjiale, peng i LPPA-së”, raporton Ekonomia Online.

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se ky raport trajton një problem konkret të transparencës së institucioneve publike: mbylljen e mbledhjeve të organeve kolegjiale.

Në një konferencë për media, Shala tha se kur flitet për organe kolegjiale, fjala është për borde, komisione dhe trupa të tjerë, ku disa persona mblidhen, diskutojnë dhe marrin vendime në emër të institucioneve publike.

“Problemi që kemi identifikuar është shumë i thjeshtë. Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative, në nenin 39.2, thotë se mbledhjet e organeve kolegjiale janë të mbyllura, përveç nëse një ligj tjetër përcakton ndryshe”, tha Shala.

Sipas tij, kjo nënkupton se ligji e ka vendosur mbylljen si rregull, ndërsa transparencën si përjashtim.

“Në praktikë kjo do të thotë se, nëse një bord apo komision trajton një çështje me interes shumë të madh publik, por ligji i veçantë nuk thotë shprehimisht se mbledhja është publike, mediat, shoqëria civile dhe qytetarët nuk mund ta monitorojnë atë”, tha ai.

Madje, sipas Shalës, kjo edhe nëse institucioni vetë dëshiron ta hapë mbledhjen, vetëm vullneti për transparencë nuk mjafton, pasi për sa kohë ligji nuk e lejon hapjen, institucioni rrezikon ta shkelë ligjin.

“Këtu qëndron absurditeti i situatës. Në njërën anë, i njëjti Ligj për Procedurën e Përgjithshme Administrative kërkon administratë të hapur dhe transparente. Në anën tjetër, për mbledhjet e organeve kolegjiale, e vendos mbylljen si parim”, tha Shala.

Hulumtuesi theksoi se raporti gjen se kjo nuk është në harmoni me parimin e administratës së hapur dhe e dobëson orientimin kushtetues drejt transparencës.

Gjatë prezantimit të raportit i cili trajton mbylljen e mbledhjeve të organeve kolegjiale, Shala po ashtu tha se pas përfundimit të këtyre mbledhjeve qytetari mund ta kërkojë procesverbalin apo dokumente tjera, por që nuk mund ta monitorojë vetë procesin.

Sipas tij, kjo është një paradoks ngase procesverbali nuk e zëvendëson mundësinë për ta monitoruar vetë procesin e vendimmarrjes.

“Një tjetër paradoks është ky: pas përfundimit të mbledhjes, qytetari mund ta kërkojë vendimin, procesverbalin apo dokumente të tjera sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike. Por nuk ka mundësi ta monitorojë vetë procesin që e ka prodhuar atë vendim. Dhe procesverbali nuk e zëvendëson monitorimin”, tha Shala.

Sipas tij, nga një procesverbal mund të kuptohet se çfarë është vendosur, por jo domosdoshmërisht se si është zhvilluar procesi që ka çuar deri te ai vendim.

“Nga një procesverbal mund ta kuptojmë se çfarë është vendosur. Por jo domosdoshmërisht se kush ka kundërshtuar, cilat alternativa janë diskutuar, si është trajtuar një konflikt potencial interesi, kush e ka propozuar një zgjidhje dhe si është krijuar shumica për një vendim”, u shpreh ai.

Shala tha se kjo problematikë nuk prek institucione të parëndësishme, derisa theksoi se raporti analizon, ndër të tjera, Bordin Drejtues të ShSKUK-së, Komisionin e Autoritetit të Konkurrencës, Bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe Bordin e ARKEP-it.

Hulumtuesi theksoi se vetëm ShSKUK ka për vitin 2026 buxhet prej afro 198 milionë eurosh, ndërsa Bordi i tij miraton buxhetin dhe pasqyrat financiare, monitoron performancën financiare, mbikëqyr cilësinë e kujdesit dhe sigurinë e pacientëve, si dhe mbikëqyr Drejtorin e Përgjithshëm.

“Pra, po flasim për vendimmarrje që prek para publike, shërbime shëndetësore, licenca, konkurrencë, resurse minerale dhe interesa të drejtpërdrejta të qytetarëve”, deklaroi Shala.

Kurse, Shqiponjë Gashi, Hulumtuese në IKD, deklaroi se raporti trajton një çështje të rëndësihme për transparencën institucionale.

“Ky raporton trajton një çështje të rëndësihme për transparencën insittucionale, mbylljn e mbledhjeve të organeve kolegjiale si borde, komisione, dhe trupa tjkerë vendimarrës Brenda institucioneve publike”, ka thënë ajo.

Të ngjashme