Avokatja e licencuar Blinera Osmani ka reaguar ashpër ndaj raportimeve nga mediat se ajo mori lincensen e avokatës pa i plotësuar kriteret ligjore të përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës.
Në një reagim në Facebook, Osmani e ka cilësuar publikimin si “tregim shpifës, tendencioz dhe keqinterpretues”, të motivuar – sipas saj – “politikisht”.
“Portali “Nacionale” ka publikuar sot një video tregim shpifës, tendencioz dhe keqinterpretues, që synon të njollosë integritetin tim profesional si avokate e licencuar në Republikën e Kosovës. Në mënyrë krejtësisht të pavërtetë, portali pretendon se unë paskam marrë licencën pa i plotësuar kriteret ligjore, një akuzë absolutisht e rreme dhe e motivuar politikisht”, shkroi Osmani ndër të tjera.
Osmani mohoi çdo shkelje të procedurave të licencimit, duke pretenduar se gjithçka është bërë “në përputhje të plotë me Ligjin për Avokatinë dhe rregulloret e Odës së Avokatëve të Kosovës.”
“Licencimi im si avokate është bërë në përputhje të plotë me Ligjin për Avokatinë dhe rregulloret e Odës së Avokatëve të Kosovës, e cila ka konfirmuar zyrtarisht ligjshmërinë e procesit dhe plotësimin e të gjitha kritereve të licencimit. Çdo insinuatë ndryshe është spekulim i qëllimshëm për të dëmtuar reputacionin tim dhe për të hedhur baltë mbi institucionet profesionale të vendit”, shkroi ajo më tej.