Raportohet se RTK-ja e largoi nga lajmet qendrore redaktorin Visar Krasniqi, veç pse e citoi intervistën e Thaçit

Prishtinë | 27 Gus 2025 | 10:33 | Nga Ekonomia Online

Më 24 korrik, ish-presidenti Hashim Thaçi dha një intervistë në emisionin Rubikon në Klan Kosova. Pavarësisht shumë reagimeve që nxiti ne publik, RTK-ja në portalin e saj, nuk e publikoi asnjë lajm.

E kur pjesë të intervistës u publikuan të nesërmen më 25 korrik në edicionin qendror të lajmeve në RTK, kjo nuk kaloi në heshtje. Nacionale raporton se redaktori i lajmeve qendrore i asaj dite, Visar Krasniqi, është larguar nga pozita që e mbante.

Kronika me deklaratat e Thaçit u transmetua kah gjysma e edicionit, me disa prej deklaratave e reagimeve, një kronikë pak më e gjatë se dy minuta.

Por, pasojat për personin që vendosi ta citonte intervistën e ta kishte në edicion të lajmeve, u vërejtën tek më pas. Sipas Nacionales vendimi ka ardhur nga U.D kryeredaktori, Blerim Haxhihaj, i cili pati intervistuar kryeministrin Albin Kurtin.

Sipas këtyre burimeve, me vendim të Haxhiajt, Visar Krasniqi u largua nga pozita e redaktorit të edicionit të lajmeve qendrore në RTK. Njoftimi dhe vendimi u mor përgjatë kohës që Krasniqi ishte në pushim vjetor.

Pavarësisht, se në formë të shkruar, atij nuk i ishte dhënë asnjë aryse për largim, Nacionale ka mësuar se citimi i intervistës së Thaçit ishte arsyeja kryesore. Madje, këtë e kishte thënë edhe vetë U.D kryeredaktori Blerim Haxhihaj në disa takime joformale.

“Në disa takime me redaktorë e redaktorë përgjegjës, Blerim Haxhiaj ka thënë se Visar Krasniqin e kanë largu për arsyen e intervistës së Thaçit”, kanë thënë burimet.

Pas kthimit nga pushimi, redaktori Krasniqi veç e kuptoi që nuk e ka vendin e punës të njëjtë ku e kishte lënë para se të shkonte në pushim.

Ky vendim vjen në kohën kur RTK-ja i largoi edhe disa redaktorë nga moderimi.

Blerta Foniqi-Kabashi, Jehona Zhitia, Arton Mulliqi, Meneta Zekaj e Valon Bajrami, dolën me reagim duke alarmuar për ndërhyrje dhe presione.

Të ngjashme