Raportojnë qytetarët – pandemia ndikoi keq në shëndetin mendor dhe ekonominë

Prishtinë | 30 Maj 2020 | 13:26 | Nga Ekonomia Online

Vazhdimisht është diskutuar për problemet ekonomike që ka sjellë pandemia Covid-19 në të gjithë botën.

Edhe në Kosovë koronavirusi ka pasur ndikim negativ në aspektin ekonomik sipas një ankete nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) që mban titullin “Pulsi Publik 18” të cilën e publikoi sot në mënyrë virutale,njofton Klan Kosova

41% e të anketuarve thanë se kanë zvogëluar shpenzimet, ndërsa 15.3% huazuan para dhe 14.1% vazhduan të punojnë për të përballuar krizën pandemike.

“Sa u përket strategjive të përdorura për të përballuar ndikimin e COVID-19 në të hyrat e familjes, 41% e të anketuarve thanë se kanë zvogëluar konsumin, 15.3% kanë marrë para borxh dhe 14.1% vazhduan të punojnë për ta përballuar këtë problem. Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë nuk tregojnë dallime të mëdha midis meshkujve dhe femrave në lidhje me strategjitë për të përballuar ndikimin e COVID-19 në të hyrat e familjes. Shumica e meshkujve (53.6%) dhe femrave (55.6%) kanë zvogëluar konsumin për ta përballuar këtë problem” thuhet në anketë.

“Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike tregojnë se zvogëlimi i konsumit është strategjia kryesore për të anketuarit e të gjitha komuniteteve etnike për të përballuar ndikimin e COVID-19 në të hyrat e familjes. Këtë strategji e kanë përdorur gjithsej 42.1% e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës, 41.5% e shqiptarëve të Kosovës dhe 28.8% e serbëve të Kosovës. Për dallim nga shqiptarët e Kosovës dhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera të Kosovës, të anketuarit serbë të Kosovës përfaqësojnë pjesën më të madhe të atyre që kanë vazhduar të shkojnë në punë gjatë krizës (24.8%). Vetëm 15.5% e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës dhe 13.4% e shqiptarëve të Kosovës vazhduan të punojnë gjatë kësaj periudhe”.

Të dhënat sipas përkatësisë etnike tregojnë se COVID-19 ka ndikuar negativisht në mirëqenien ekonomike të të gjitha komuniteteve etnike.

“65.7% e shqiptarëve dhe serbëve dhe 74.5% e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës raportuan ndikim negativ të COVID-19 në mirëqenien e tyre ekonomike. Gjithsej 29.9% e shqiptarëve të Kosovës, 27.6% e serbëve të Kosovës dhe 22% e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës deklaruan se nuk kishin asnjë efekt në mirëqenien e tyre ekonomike për shkak të shpërthimit të COVID-19”.

Shumë nga të anketuarit raportuan edhe ndikim negativ të COVID-19 në shëndetin e tyre mendor.

“Shumica e të anketuarve nga të gjitha komunitetet etnike raportuan ndikim negativ të COVID-19 në shëndetin e tyre mendor: 65.2% e serbëve të Kosovës, 64.5% e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës dhe 59.2% e shqiptarëve të Kosovës” thuhet mes tjerash në anketë.

Të ngjashme