Raporton Matoshi, Komisioni për Bujqësi i pakënaqur me gjendjen e ajrit dhe të pyjeve

Prishtinë | 20 Nën 2018 | 14:51 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor ka shqyrtuar raportin vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2017, i cili u nderpre herën e kaluar për shkak të seancës, si dhe ka miratuar raportin vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2017,  Projektligjin për Produktet Biocide, dhe Projektligjin për Odën e Arkitektëve dhe Odën e Inxhinierëve në fushën e ndërtimit.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka raportuar për punën e tij të deritanishme si ministër, raporton Ekonomia Online.

“Për këto pak muaj që jemi në krye të kësaj ministrie jemi tu u angazhu fuqishëm me task forcën e pastrimit e nisur më 15 shtator, jemi duke siguri një grant prej 1.2 milion euro, grant të performancës të komunave nga 2019 që komunat të fillojnë të shpërblehen për kontributin që japin me grumbullimin e mbeturinave”.

“Kemi propozu qeverisë që të marrë vendim për të ndërprerë thëngjillin në institucione publike. Ende është herët të tregohet se ku po zbatohet dhe sa po zbatohet. Disa institucione mund të kenë probleme me kalldaja. Në vazhdimësi po kërkojmë të zbatohen kontrolla për gaz në ajër, në automjete. Po mundohemi ta ngrisim çështjen e kontrollit të derivateve të naftës që hyjnë në Kosovë. Gjithashtu ka pasur para dhjetë ditësh, një aksion për konfiskimin e thëngjillit që shitet rrugës. Në bashkëpunim me KPMM-në dhe Policinë, janë konfiskuar shtatë kamionë me thëngjill. Ata janë dërguar në KEK ku edhe janë zbrazur. I kemi shti në fuqi gjobat mandatore, edhe kjo ka fillu zbatimin e vet”.

Anëtarët e këtij komisioni i kanë drejtuar disa pyetje ministrit Matoshi.

Muharrem Nitaj kërkoi përgjigje mbi atë se nga vizita e fundit e komisionit, sipas tij, kanë parë miniera të hapura nga qytetarë të cilët nga to kanë nxjerrë thëngjill.

“Ka zëra që janë të përfshira edhe forca politike, prandaj po e keni të vështirë të zbuloni këtë”.

Minsitri tha se kjo është përgjegjësi e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

“Kjo është përgjegjësi e KPMM-së, megjithatë jemi të gatshëm t’u bashkohemi atyre në çdo aksion”.

Liburn Aliu tha se nga raporti ka parë se buxheti i ndarë për projektet që duhej të realizonte MMPH-ja, vetëm 25 kanë filluar implementimin, raporton EO.

“Raportin 9-mujor të buxhetit dhe te pjesa e investimeve kapitale janë projektet që i keni pasur ju. 89 projekte për këtë vit, 64 nga të cilat kanë zero shpenzime që d.m.th. se as që kanë fillu. 25 që kanë fillu, vetëm 11 janë mbi 50%”.

Ministri iu përgjigj Aliut duke i thënë se kur ka filluar mandatin e tij ka parë që vetëm 26% e projekteve kanë qenë të shfrytëzuara, duke shtuar se ai nuk mund të flasë për punën e ish-ministrit.

“Ditën e parë kam kërku të shoh se ku janë projektet dhe kam pa se janë 26% të shfrytëzume. Nuk mund të flas për ish-ministrin, por e di që ka pasë nevojë për të gjitha këto projekte të implementohen dhe është përgjegjësi e atij që ka nda këto fonde dhe nuk janë shfrytëzu. Sot ka lëvizje të atyre shifrave”.

Liburn Aliu ka ngritur çështjen e pyjeve në zonën e Kaçanikut, për të cilat ka thënë se po priten dhe ka kërkuar përgjigje për këtë.

Ilir Morina, kryeshef i Agjencisë për mbrojtjen e mjedisit, ka thënë se një nga arsyet e kësaj është numri i vogël i stafit të rojeve të natyrës.

“24 staf dhe 28 roje, që në fakt i ka vetëm 18 prej këtyre deri më tash. Për 12 punëtorë kërkesa nuk është miratu. Ata punëtorë edhe janë rrahë, edhe janë gjuajt me kallashë. Te Kaçaniku as policia nuk po bindet me bë më shumë. Ne i kemi 8 roje për 53 mijë hektarë dhe nuk janë të pajisur me armë sipas ligjit, dhe këtu kemi problem me ministrinë, pasi rojet e natyrës nuk kanë këto armë”.

Besa Gaxherri ka thënë se çështja e mbrojtjes së mjedisit nuk është në nivelin e duhur.

“Nëse shohim ambientin në përgjithësi duke fillu nga lumenjtë, gurëthyesit, deponitë ilegale, pyjet…për asnjë nga këto fusha ne nuk mund të themi se këtë sektor e kemi mirë. Asnjëra fushë nuk është në nivelin e duhur”.

Gjatë përgjigjes së tij, ministri Matoshi tha se MMPH-ja është duke e përgatitur strategjinë për ajrin dhe Ligjin për Obiliqin.

“Sa i përket strategjisë, hapat që janë marrë nuk është siç thatë ju. Është strategjia për menaxhimin e mbeturinave dhe plani i veprimit të saj. Do jetë së paku edhe dy javë në qeveri për miratim. Jemi duke e bërë strategjinë për ajrin dhe ligjin për Obiliqin”.

Të ngjashme