Raportuesi i BE-së për Serbinë në Parlamentin Evropian, sllovaku Vladimir Bilcik, thotë se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është një detyrim dhe një çështje komplekse, e cila kërkon më shumë kohë.
Ai ka mirëpritur angazhimin e SHBA-së në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe theksoi se BE ka një rol udhëheqës në atë proces.
Bilcik, ka deklaruar për portalin “KosoOnline”, se të gjitha zotimet e marra duhet të respektohen dhe zbatohen, duke iu përgjigjur pyetjes nëse Prishtina duhet të respektojë angazhimet e marra në Bruksel në vitin 2013, veçanërisht kur bëhet fjalë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, i cili ende nuk është formuar, transmeton Telegrafi.
Ai tha se “e kupton që Asociacioni është një çështje komplekse dhe se duhet më shumë kohë për të zbatuar disa pjesë të marrëveshjes, por është e rëndësishme të tregohet vullnet i mirë dhe udhëheqje politike në formimin e Asocicionit”.
Duke komentuar deklaratën e shefit të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell se një marrëveshje midis Kosoëvës dhe Serbisë mund të arrihet në muajt e ardhshëm, Bilcik tha se, “ndonëse të gjithë duam që dialogu të përfundojë në të ardhmen e afërt, gjëja më e rëndësishme është të vazhdojmë me një ritëm të mirë dhe me një përkushtim të qartë politik, drejt arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse.
Bilckik e sheh “Mini Schengenin” si një iniciativë për të forcuar bashkëpunimin rajonal.
“Megjithatë, kjo nuk mund të zëvendësojë qëllimin e vërtetë strategjik të partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor – pranimin në BE dhe zonën Shengen. Kjo duhet të jetë aspirata kryesore e të gjithë partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor. Liria e lëvizjes është një nga shtyllat themelore të Bashkimit Evropian. një nga arritjet më të mëdha të integrimit evropian. Në fund, qëllimi i çdo vendi anëtar të ardhshëm është të jetë pjesë e një zone pa kufizime të udhëtimit”, tha Bilcik.