Raportuesi rus për Kosovën nuk kalon në Këshillin e Europës

Prishtinë | 14 Nën 2019 | 13:56 | Nga Ekonomia Online

Protesta e Kosovës dhe lobimi i delegacionit kosovar ka rezultuar me mos kalimin e kandidatit rus për raportues për Kosovën në Këshillin e Europës, Alexey Kondratyev, ish spiun rus dhe tani anëtar i asamblesë parlamentare europiane, transmeton Gazeta Metro.


Këshilli i Evropës duhej të zgjidhte raportuesin për Kosovën ku në mesin e kandidatëve ishte edhe rusi Aleksey Kondratyev, që ishte spiun i Rusisë dhe kishte shprehur hapur animin e tij pro-serb dhe paragjykimet e tij anti-shqiptare. Metro ka mësuar se kjo nuk do të ndodhë tani dhe se njoftimi zyrtarë do të bëhet sot publik.

Kondratyev, që është anëtari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka thënë për Sputnikun se kundërshtimi i Prishtinës për zgjedhjen e tij nuk ishte gjë e re dhe se mentaliteti shqiptar i Kosovës duhet të kuptohet para së gjithash. Ai tha se që nga hyrja e njësisë ruse në KFOR në territorin e Kosovës, shqiptarët kanë qenë shumë negativë për rusët dhe kanë treguar në çdo mënyrë që ata nuk janë të gatshëm për dialog dhe bashkëpunim.

Një delegacion i Kosovës ka lobuar kundër mundësisë së përzgjedhjes së Kondratyev, ku ishin pjesë biznesmenë dhe politikanë. Po ashtu pjesëmarrës ishte edhe ish nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.

Gjatë ditës së mërkurë, një grup i gjerë i organizatave të shoqërisë civile kishin dërguar një letër të hapur, dërguar për Këshillin e Evropës, ku bëhet thirrje që rusi Alexei Kondratiev të mos zgjidhet si Raportues për Kosovën, për shkak të veprimeve të tij të mëhershme në shkelje të të drejtave të njeriut. Në letrën e hapur publike thuhet se shprehja e tij, në terma ksenofobie për Kosovën gjithashtu përmendet në letër si argument kundërshtues.

Letra e përkrahur nga mbi 40 organizata i është dërguar Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Presidentes së Asamblesë Parlamentare dhe Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci.

Alexey Kondratyev ka qenë anëtarë i Shërbimit famëkeq të Inteligjencës Ushtarake të Rusisë (GRU) deri në vitin 2010, ndërkohë ka qenë në Kosovë në periudhën 1999-2001 si pjesë e shërbimit ushtarak rus.

Anëtar i Partisë “Rusia e Bashkuar”, Kondratyev, si pjesë e mekanizmit të Putinit për influencën shkatërruese ruse në Europë, ka lidhje të mira edhe me diktatorin sirian, Bashar al-Asadin

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme