Raportuesja e re për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Carmon-Taubadel, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, ka folur për vonesat që po i bëhen Kosovës me liberalizimin e vizave, qëndrimin e Francës, rinisjen e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe gjithashtu edhe për idenë e rrezikshme të korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve.
Gjermanja Viola von Carmon-Taubadel thotë se nuk ka kurrfarë arsye që të shtyhet edhe më tej heqja e regjimit të vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës, dhe sipas saj ata që po tentojnë të vonojnë edhe më tej procesin, po japin një mesazh shumë të keq.
“Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është në dorën e Këshillit. Komisioni ka konfirmuar për më shumë se një vit më parë që Kosova ka përmbushur kushtet, Parlamenti Evropian ka bërë thirrje për liberalizim të vizave disa herë, dhe kjo çështje vazhdon të jetë “nën shqyrtim” në Këshill. Ata qartazi nuk kanë kurrfarë arsye për vonesa të mëtejshme, kështu që dëshirojnë të shtyjë vendimin e tyre përsëri dhe përsëri. Kjo jep një mesazh shumë të keq”, ka thënë raportuesja për Kosovën.
Sipas saj kushtet për liberalizim ishin vendosur më herët dhe nuk është e drejtë që të bëhen ndryshime të më vonshme.
“Kushtet ishin vendosur saktësisht për të ditur se kur Kosovës mund të marrë liberalizimin e vizave. Nuk ka kurrfarë arsye për ta shtyrë edhe më shumë. Vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet t’u pamundësohet liberalizimi i vizave e as procesi i zgjerimit në përgjithësi. Kushtet për procesin e liberalizimit të vizave ishin vendosur më herët, nuk është e drejtë që të ndryshohen synimet më vonë”, shprehet Carmon-Tubadel.
E pyetur se cili është qëndrimi i deputetëve gjerman në Parlamentin Evropian sa i përket çështjes së liberalizimit të Kosovës, Carmon-Tubadel, thotë se shumica e partive gjermane e mbështesin heqjen e vizave për Kosovën përjashtuar AfD-në.
“Shumica e partive gjermane (përjashtuar AfD) mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën. Sidoqoftë, grupi i koalicionit qeverisës CDU/CSU është i ndarë në këtë çështje, dhe disa votuan kundër në vitin e fundit në Parlamentin Evropian”, ka theksuar ajo për Gazetën Express.
Raportuesja për Kosovën në këtë intervistë ka dhënë kritika të forta për qëndrimin e Francës rreth çështjes së liberalizimit të vizave për kosovarët, duke thënë qasja e Parisit zyrtar është e dëmshme për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Carmon-Tubadel thotë se Franca ka të drejtë kur flet për nevojën e një reforme të brendshme në BE dhe sa i përket zgjerimit megjithatë thotë se nuk mund të mos mbahen pretimet e dhëna.
“Kosova ka probleme, dhe ka shumë punë për të bërë rreth sundimit të ligjit dhe luftimit të organizuar, sigurisht, ka shumë progres për të bërë, por ne nuk mund t’i ndryshojmë kushtet në mes të procesit. Në këtë rast , duhet të bindim Francën që taktika e tyre është shumë e dëmshme për vendet e Ballkanit Perëndimor. Franca ka të drejtë në kuptimin që është e nevojshme një reformë e institucioneve të BE-së dhe me gjasë edhe e gjithë procesit të zgjerimit, por nuk mund t’i braktisim premtimet tona të mëhershme gjatë rrugës”, shprehet euro-deputetja gjermane.
Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Carmon-Taubadel, thotë se kushdo që vjen në qeverinë e re duhet të merret me këtë çështje dhe dialogu si i tillë sipas saj nuk varet vetëm nga një lider politik.
“Kushdo që do të formojë qeverinë e re, duhet të synojë dialogun, qeveria e re do duhet të merret me këtë çështje. Kjo nuk duhet të varet vetëm nga një udhëheqës”, potencon ajo.
Për taksën është e prerë. Thotë se duhet të hiqet për arsye se askush nuk është duke fituar nga zbatimi i një vendimit të tillë.
Përfshirjen e SHBA’së e sheh si jashtëzakonisht të nevojshme në dialog, megjithatë potencon se administrata aktuale në Washington nuk beson në atë se në këtë proces duhet të ketë të përfshira shumë palë.
“SHBA-të nuk kanë qenë shumë aktiv në dialog kohët e fundit, dhe do të jetë e nevojshme që t’i kemi dhe ata në tavolinë, por administrata aktuale nuk beson në multilateralizëm, edhe pse kjo do të ishte mënyra e vetme për stabilizimin e rajonit”, ka thënë Viola von Carmon-Taubadel.
Në fund, Carmen-Taubadel thotë se është fuqishëm kundër idesë së korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimi të territoreve pasi sipas saj një ide e tillë do të kishte pasoja për të gjithë Ballkanin dhe gjithashtu edhe BE-në, dhe shpreson që ajo ide do të largohet shumë shpejtë nga tavolina e diskutimeve.
“Shkëmbimi i territoreve është një mënyrë e keqe për t’iu qasur situatës, jo vetëm në rajon pro gjithashtu edhe në Evropë në përgjithësi. Unë jam fuqishëm kundër një ideje të tillë, dhe mund të ketë pasoja të këqija për gjithë rajonin dhe më gjerë. Shpresojë që të jetë jashtë tryezës së dialogut së shpejti. Nëse fillojmë t’i vendosim kufijtë në baza etnike kjo do të ketë pasoja të tmerrshëm në të gjithë Evropën”, ka përfunduar Viola von Carmon-Taubadel.
Gjermania është një prej shteteve anëtare të BE-së e cila mbështet fuqishëm Kosovën sa i përket marrjes së liberalizimit të vizave. Deputeti gjerman, Peter Beyer, madje gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë kishte paralajmëruar se heqja e regjimit të vizave mund të jetë një dhuratë për Krishtlindje, megjithatë Franca vazhdon të mbajë një pozicion të ndryshëm.
Në një përgjigje të para pak ditëve për Express, burime diplomatike në Paris, kanë treguar se qëndrimi i Francës është që Kosova ende nuk i ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave, duke përmendur specifikisht sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe thonë se qëndrim të njëjtë ndajnë edhe disa shtete të tjera anëtare.