Futbollistët e Werder Bremenit, në mesin e tyre edhe ylli i Kosovës, Milot Rashica, kanë vendosur të heqin dorë nga paga për të ndihmuar klubin në situatën e vështirë financiare të shkaktuar nga kriza e koronavirusit, ka njoftuar klubi i Bundesligës gjermane, transmeton Koha.net.
“Ne kemi lojtarë, që me Werderin, punëtorët dhe tifozët identifikohen, veçanërisht në situata të vështira. Për këtë arsye të gjithë mund të llogarisin, se lojtarët, ekipi i trajnerëve dhe kryesia do të japin shembull të mirë”, ka thënë drejtori sportiv i Werderit, Frank Baumann.
Baumann nuk ka treguar se nga sa për qind të pagës lojtarët kanë vendosur të heqin dorë. Nëse vendos gjithë ekipi profesionist të heq dorë nga paga mujore, atëherë Werderi do të kursejë deri në 4 milionë euro.
Më herët lojtarët e Bourssia Moenchengladbachut janë pajtuar për ulje të pagës në këtë periudhë krize, ndërsa edhe ata të Schalkes kanë pranuar ulje. Po ashtu po pritet të bëjnë sakrificë edhe lojtarët e gjigantëve të futbollit gjerman si Bayern Muenchen e Borussia Dortmund.