Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se zgjedhja e tij si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës e detyron të ndalojë ushtrimin e funksionit si ministër dhe se sipas procedurave, ai do të dorëhiqet nga kjo pozitë ditëve në vijim, raporton Ekonomia Online.
Rashiq u shpreh i gatshëm të vazhdojë bashkëpunimin me Qeverinë. Ai gjithashtu tha se pozita e ministrit do t’i besohet dikujt tjetër nga partia e tij.
“Normalisht që nesër ose pasnesër do të përfundojë kjo procedurë teknike, nuk mund të jem njëkohësisht nënkryetar i Kuvendit dhe ministër. Por, besoj që bashkëpunimi që kemi pasur deri tash me kryeministrin dhe VV-në do të vazhdojë në forma ndoshta pak të ndryshme, por në drejtim të njëjtë. Normalisht, pasi që jemi në mandat teknik, besoj që edhe ministri i ardhshëm do të jetë nga radhët e partisë time”, tha ai.
