Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka kritikuar ministra të tjerë të Qeverisë Kurti, për vizitat që kanë bërë në veri të vendit, në kohën e tensioneve. Ai ka thënë se veprimet e ministrave të tjerë janë parë si “tregim i muskujve”.
“Kam dëshirë të punoj në mënyrë institucionale dhe jo populiste që të shkoj të bëj foto para komunave. I respektoj kolegët e mi, por në disa veprime dhe deklarata të tyre nuk është esenca pajtim mes popujve, por tregim i fuqisë institucionale. Ta bëjmë një mirëbesim. Besimi nuk mund të jepet, ai ndërtohet. Unë jam për një politikë më shumë paqësore, me një respekt anasjelltas dhe në mënyrë mund të vazhdojmë të ndërtojmë afatgjatë. Ndoshta disa prej deklaratave të ministrave janë kuptuar jo si të pajtimit dhe mirëkuptimit, por tregimin e muskujve që ne mund të bëjmë kurdo çfarë duam”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV të premten.
Rashiq ka thënë se nuk duhet të harrohet “pesha e fjalës” së ministrave. Ai ka deklaruar se ka grupacione që mezi presin që një deklaratë të shihet në konotacion negativ e të shihet si provokim për “ta shqetësuar situatën që veçse është fragjile”.
“Sa më shumë që zgjatet kjo dramë, kjo krizë, më së shumti humbin serbët e Kosovës”, ka thënë ai.
Që nga 26 maji, në veri të Kosovës ka pasur protesta nga serbët lokalë që kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj të komunave në objektet komunale. Ka pasur protesta të dhunshme e kanë pësuar ushtarë të KFOR-it, policë të Kosovës dhe gazetarët. Gjatë këtyre ditëve kryetarët e rinj shqiptarë janë vizituar nga ministri për Administrim të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe ai i Mjedisit e Infrastrukturës, Liburn Aliu. Të dy ministrat janë gjuajtur me ngjyrë nga protestuesit.
Situata pas qetësimit disaditor, përshkallëzoi në mes të qershorit kur forcat serbe kidnapuan policë të Kosovës brenda territorit të vendit, sipas Qeverisë së Kosovës.
Tensionet bënë që të enjten të ketë ftesë urgjente për takim në Bruksel. Megjithatë, nuk pati takim trepalësh në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, dhe ndërmjetësve evropianë, pas refuzimit të Serbisë. Pas disa takimeve bilaterale, nuk pati marrëveshje. Bashkimi Evropian bëri të ditur se vetëm ka “pajtim për nevojën për zgjedhje të reja”. Megjithatë, nuk u tha se ka zgjidhje për mënyrën që çon te zgjedhjet.