Rashiq: Nesër nuk pres votim për Qeverinë e re

Prishtinë | 05 Gus 2026 | 13:22 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, vlerëson se në seancën konstituive më 06.08.2026, nuk pret të votohet Qeveria e re.

Sipas Rashiqit, që është njëherësh ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim, pas përfundimit të këtij procesi mund të nisin takimet dhe bisedimet për formimin e ekzekutivit të ri, përfshirë edhe një takim të mundshëm me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

“Nuk jemi taku, por besoj që takohemi këto ditë se sikur që e dini nesër e kemi vetëm konstituimin e Kuvendit, nuk do hymë në negociata ose marrëveshje tjera. Po pres që pas ditën e nesërme të takohemi në një moment dhe të flasim për eventualisht një angazhim në Qeverinë e re kurdo që e bëjmë të mundshme”- tha Rashiq.

Ai tha se, sipas bindjes së tij, nesër nuk do të ketë votim për Qeverinë.

“Sa e di unë nesër nuk ka seancë për formimin e Qeverisë së re. Mendimi im është që nesër nuk do votohet qeveria. Ky është mendimi im personal”- deklaroi Rashiq. /Kallxo

Të ngjashme