Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka implikuar se mesazhi për krijim afërsie ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve nga ana e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, ka qenë shtysë që t’i kërkojë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për lejimin e vizitës së Poririjes në Kosovë.
“Më vjen jashtëzakonisht keq që një gjë e tillë ka marrë konotacion politik dhe ofroj keqardhjen time të sinqertë që në këtë rast edhe patriarku iu nënshtrua atyre ndikimeve politike, nga kushdo qofshin ata”, deklaroi ndër të tjera Rashiq për N1, përcjell Demokracia.com.
“..sinqerisht e kam dëgjuar inaugurimin ne Peje, kam qenë shumë i kënaqur me mënyrën si ka thënë, se “ne serbët dhe shqiptaret duhet te jemi të përafruar, duhet të jemi vëllezër. Këtë e kuptova si një mesazh të jashtëzakonshëm paqeje. Kur shkova sot te kryeministri (Albin Kurti), theksova se Patriarku Porfirius dërgoi një nga mesazhet më të bukura që kam dëgjuar nga ndonjë person i shenjtë”, deklaroi ndër të tjera ministri Rashiq.
Përgjatë së enjtes, Qeveria e Kosovës bëri të ditur se kryeministri Kurti aprovoi kërkesën e ministrit Rashiq që patriarku i Kishës Ortodokse serbe të lejohet të vizitojë Kosovën para krishtlindjeve ortodokse.
Në fund të dhjetorit Kosova nuk e lejoi Porfirien të hyjë në Kosovë duke thënë se “vizita do të mund të aprovohet vetëm pasi Kisha Ortodokse Serbe të ketë dënuar, respektivisht të jetë distancuar nga veprimet e pjesëtarëve të KOS-it, të cilët, duke hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, janë duke i dhënë përkrahje të hapur grupeve kriminale në veri të Republikës së Kosovës, të cilat janë përgjegjëse për barrikadat e vendosura atje”.