Analisti Naim Rashiti e ka vlerësuar se është vështirë të mendohet se konflikti mes Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhet nëpërmjet shkëmbimit të territoreve. Ai beson se në fund të këtij viti kosovarët do të lëvizin pa viza në BE, shkruan sot gazeta Zëri.
Në kancelari të ndryshme diskutohen disa opsione për Kosovën, por që nuk janë zyrtarisht në tavolinën kryesore të bisedimeve, si: një Asociacion me kompetenca ekzekutive, një traktat paqeje, por që nuk përfshin njohjen, autonomi për veriun në këmbim të njohjes nga Serbia dhe shkëmbimi i territoreve mes dy vendeve.
Kështu ka theksuar gjatë një interviste për gazetën Zëri, Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, duke shtuar se as në Beograd nuk flitet për ndarje të Kosovës pa shkëmbim me dy komuna në Luginë të Preshevës.
“Implementimi i marrëveshjeve të tilla është çështje shumë e ndërlikuar dhe duke e njohur kontekstin dhe marrëdhënien mes dy vendeve është vështirë të mendohet që konflikti zgjidhet përmes ndryshimeve të territoreve. Kjo mund të jetë pjesë e përmbylljes së paqes, por jo bërja e paqes me automatizëm, sepse do të jetë shumë sfiduese nëse eventualisht mendohet që të shkohet në atë drejtim”, ka thënë Rashiti.
Rashiti ka folur edhe për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Sipas tij, pas marrjes së rekomandimit pozitiv për vizat nga Komisioni Evropian qytetarët e Kosovës përfundimisht do të lëvizin pa viza në dhjetor të këtij viti. Kjo pasi që, sipas tij, brenda organeve të Bashkimit Evropian ka vullnet dhe opinion pozitiv për këtë çështje.