Një vajzë e vogël vdiq të shtunën në mbrëmje në Phoenix të Shteteve të Bashkuara, pasi xhami i veturës u ngrit kur ajo ishte duke luajtur në veturë.
Hetuesit nuk i kanë zbuluar identitetin e vajzës dhe as moshën, por thanë se ajo vdiq pasi u lëndua rëndë në një incident me xhamin e veturës së parkuar, në të cilën ajo ishte duke luajtur, shkruan Independent.
“Është e tmerrshme. Diçka që ta thyen zemrën”, tha Andy Williams nga Departamenti i Policisë në Phoenix.
Policia tha se incidenti ndodhi gjatë një ndeje familjare të shtunën në mbrëmje. Një ekip policor u dërgua në vendin e ngjarjes. Vajza u dërgua në spital në gjendje kritike, ku më vonë vdiq.
Hetuesit thanë se nuk e dinë nëse vetura ka qenë e ndezur në kohën e incidentit ose nëse çelësi ka qenë i aktivizuar për t’i mbyllur dritaret në mënyrë elektronike.
Zyrtari policor që njoftoi për incidentin tha: “Fëmijët e vegjël mund të përfshihen në gjithçka dhe për një moment futen në atë që s’duhet të futen dhe pikërisht në atë çast mund të godasë fatkeqësia.”