Nxënësit e shkollës së muzikës në kryeqytet “Prenk Jakova”, nga e hëna mësimin do ta vazhdojnë sipas skenarit C, mësim online.
Kjo shkollë është mbyllur me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, meqë pesë mësimdhënës dhe një nxënës kanë dalë pozitivë me Covid-19.
“Ne fillimisht kemi kërkuar nga Instituti që ta bëjë testimin e mësimdhënësve të shkollës për ta parë një pasqyrë të saktë se sa nxënës janë të infektuar në shkollën tonë dhe ata janë përgjigjur pozitivisht. Nga 62 mësimdhënës që kanë bërë testin kanë rezultuar pozitiv vetëm këta 5 të fundit”, ka thënë Jeta- Dida-Bujari, drejtoreshë e shkollës “Prenk Jakova”.
Edhe në shkollën “Pavarësia” kanë dalë pozitiv 5 nxënës të paraleleve të ndryshme.
Zëvendësdrejtori Halil Brahaj ka bërë të ditur se janë në pritje që të testohen komplet klasat e atyre që kanë rezultuar pozitiv.
“Ne kemi dërguar këto 5 paralele me mësim online. Mësimi do të vazhdojë sipas skenarit që ka përgatitur task forca e shkollës dhe ata do të vazhdojnë ashtu mësimin për dy javët në vazhdim nga sot e deri më datën 2 nëntor” ka thënë ai.
Në bazë të një raporti të Komunës së Prishtinës, që e ka siguruar KOHA, këtë javë raste me Covid janë evidentuar edhe në shkollat “Ismail Qemaili”, “Ahmet Gashi, “Sami Frashëri” , “Xhevdet Doda, “Eqrem Qabej, “Hasan Prishtina”, “Emin Duraku, “Dradania”, “Iliria”, si dhe në shkollën “Anton.Z Cajupi në Bardhosh.
Një ditë më parë kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se pas rasteve të fundit me Covid, është shtuar kontrolli në shkolla. Ai ka ftuar qytetarët që të kenë kujdes maksimal për të mos pasur sërish mbyllje totale.