Rastet e Coronavirusit bien, ekspertët nuk pajtohen nëse epidemia është në rënie

Prishtinë | 12 Shk 2020 | 10:19 | Nga Ekonomia Online

Të mërkurën (12 shkurt) Kina raportoi për një numër më të ulët të rasteve të reja të koronavirusit, që nga fundi i janarit.

Tregjet globale shënuan rritje pas këtij informacioni, por ekspertë të tjerë ndërkombëtarë janë të alarmuar për përhapjen e virusit, i cili ka vrarë më shumë se 1.100 njerëz.

Këshilltari kryesor mjekësor i Kinës, Zhong Nanshan, tha se numri i rasteve të reja po bie në disa provinca.

“Shpresoj se ky shpërthim i virusit mund të përfundojë diku në muajin prill”, tha Zhong.

I pyetur në lidhje me parashikimin e Zhong, drejtori kryesor mjekësor i Australisë, Brendan Murphy, tha se “është shumë e parakohshme të thuhet kjo”.

Numri i të infektuarve në Kinë kanë arritur në 44,653, thanë zyrtarët shëndetësorë, përfshirë 2,015 raste të reja të konfirmuara të martën.

Ky është numri më i ulët ditor i rasteve të reja që nga 30 janari.

Ndërsa zyrtarët kinezë thanë se situata ishte nën kontroll, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se epidemia paraqet një kërcënim global potencialisht më të keq se terrorizmi.

Bota duhet të “zgjohet dhe ta konsiderojë këtë virus si armikun publik numër një”, tha shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke shtuar se vaksina e pare kundër virusit do të mund të jetë në dispozicion pas 18 muajsh.

Qindra raste janë raportuar në dhjetëra vende dhe territore të botës, përfshirë një vdekje në Hong Kong dhe një tjetër në Filipine.

Rasti më kritik jashtë Kinës është në anije të lundrimi, e cila është vënë në karantinë në portin e Japonisë, Yokohama, me rreth 3.700 njerëz në bord.

Zyrtarët japonezë thanë se 39 persona të tjerë kanë dalë pozitiv në testin e virusit, duke e çuar numrin e të infektuarve në anije në 175.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme