Avokati i familjes Bunjaku, Arianit Koci, ka thënë se 42 personat e arratisur në sulmin terrorist në Banjskë, janë në kërkim nga Interpoli, andaj nuk mund ta lëshojnë Serbinë, raporton Ekonomia Online.
Koci ka thënë ky është një gjykim kompleks me pasoja të rënda për vetë palët e dëmtuara. Ai ka theksuar se kanë interes që sa më shpejt të kryhet ky proces.
Sa i përket propozimit që të merret mendim nga Gjykata Supreme për gjykim në mungesë, Koci ka deklaruar se presin që Supremja të jap një mendim pozitiv, por pavarësisht çfarëdo vendimi do ta respektojnë.
“Ky është gjykim kompleks për vete palët e dëmtuara. Unë jam përfaqësues i familjes së policit të ndjerë Afrim Bunjaku, dhe ne kemi interes që sa më shpejt të kryhet ky proces për shkak se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Por nuk guxojmë ta bëjmë as një gabim procedural në mënyrë që Gjykata e Apelit të mos na kthej në rigjykim, në këtë konsultim mendoj që duhet të shkoj vetë procesi i gjykimit. I kemi 42 persona të cilët nuk janë nën drejtësinë e Kosovës e që janë në arrati, lajmi i mirë është që gjithë këta 42 persona janë në kërkesën e kuqe të Interpolit, as njëri prej tyre nuk mund ta lëshoj më Serbinë, përndryshe do të arrestohej menjëherë”.
“Ftoj prokurorin që sa më pak të deklarohet për këtë rast sepse po e pengon vetë procesin. Propozimi të merret mendimi juridik i Gjykatës Supreme është i imi, për shkak se ne nuk kemi praktike gjyqësore për këtë çështje dhe nuk dua që të bëjmë gabime”, ka thënë Koci.