Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka njoftuar se gjatë dy ditëve, 22.10.2020 dhe 23.10.2020, në Kosovë kanë qëndruar ekspertët e Qendrës Universitare Romande të Mjekësisë Ligjore të Lozanës, të cilët kanë përpiluar ekspertizën ligjore për rastin “Dehari”.
Sipas një njoftimit thuhet se gjatë këtyre dy ditëve, ekspertët e institutit të Lozanës kanë marrë pjesë në procedurën hetimore të këtij rasti, i cili është duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale.
Tutje në njoftim thuhet se pas marrjes së informatave më të hollësishme dhe ekzaminimeve të bëra, ekspertët e këtij instituti do hartojnë një raport shtesë lidhur me të gjeturat e grumbulluara përgjatë këtyre ekzaminimeve, ku raportin në fjalë do t’ia dërgojnë Prokurorisë Speciale të Kosovës.
“Prokuroria Speciale siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore do të zhvilloj hetime të pavarura dhe profesionale deri në ndriçimin e plotë të këtij rasti”, thuhet ndër të tjera në njoftmin e PSRK-së.