Në seancën e sotme gjyqësore ndaj ish-shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi, i akuzuar në rastin e njohur si “Gylenistët”, ku pritej shpallja e aktgjykimit, trupi gjykues ka vendosur rihapjen e shqyrtimit gjyqësor, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani, tha se pas këshillimit dhe votimit, trupi gjykues ka marrë aktvendim për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor me qëllim të grumbullimit të provave dhe fakteve të tjera. Ajo theksoi se kjo bëhet për verifikimin e plotë dhe të drejtë të çështjes penale, duke shtuar se seanca e ardhshme do të caktohet pasi të sigurohen provat materiale.
“Trupi gjyqësor, pas këshillimit dhe votimit, dhe më pas përfundimit, konform nenit, merr aktvendim. I hapet shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje penale me qëllim të grumbullimit të provave dhe fakteve të tjera. Krejt kjo bëhet me qëllim të verifikimit të plotë dhe të drejtë të çështjes penale. Seanca e ardhshme do të caktohet në momentin kur të bëhet sigurimi i provave materiale”, tha Namani.
Në këtë rast, Driton Gashi, në cilësinë e shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), akuzohet se ishte angazhuar drejtpërdrejt në dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, duke shkelur procedurat ligjore.
Më 19 korrik 2023, Gjykata Themelore e kishte shpallur fajtor ish-shefin e AKI-së, Driton Gashi, duke e dënuar me katër vite e tetë muaj burgim, ndërsa Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylemani ishin liruar nga akuza.
Ndërkaq, në dhjetor 2024, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim vetëm sa i përket pikës I të dispozitivit ndaj të akuzuarit Driton Gashi, duke vërtetuar njëkohësisht lirimin nga akuza për dy të akuzuarit e tjerë.
