Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, pas refuzimit të disa propozimeve të mbrojtjes nga trupi gjykues, mbrojtësi i të akuzuarit Izet Sheqiri, avokati Florent Latifaj tha se nuk po trajtohen barabartë para ligjit. Në anën tjetër, gjykatësi i rastit, Ngadhnjim Arrni ia rikujtoi atij mundësinë për paraqitjen e kërkesës për përjashtim të trupit gjykues apo kryetarit të trupit gjykues.
Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili, po akuzohen pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë: Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas refuzimit të propozimeve për dëgjim të dëshmitarëve dhe rikonstruim të vendit të ngjarjes, avokati Latifaj tha se ndihet se nuk po trajtohen barabartë para ligjit nga trupi gjykues.
“Prokurorisë i janë aprovuar dëshmitarë të vitit 2010, ndërsa neve dëshmitarë që i ka dëgju Prokuroria okularë po na refuzoni. Andaj, e shprehi këtë shqetësim timin sepse s’po trajtohemi barabartë para ligjit”, deklaroi avokati Latifaj.
Më pas, gjykatësi Arrni sqaroi se si Gjykatë kanë aprovuar propozime edhe të mbrojtjes, përfshirë dëgjimin e dëshmitarëve dhe provave materiale dhe se në rast se kanë dyshime rreth paanësisë, mund të paraqesin kërkesë për përjashtim.
“Ndërsa mbrojtja apo cilado palë në procedurë që pse ky gjykim është i njëanshëm, atëherë mund të paraqitni propozimet e juaja qoftë ndaj trupit gjykues, kryetarit të trupit gjykues, qoftë për përjashtim apo çështje të tjera për mbarëvajtje të seancës”, tha gjykatësi.
Paraprakisht, avokati Latifaj në emër të të gjithë mbrojtësve të të akuzuarve, propozoi që në këtë rast të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes, me qëllim që të shihen saktë nga të gjitha palët në procedurë, objekti dhe vendi ku po pretendohet se ka ndodhur vepra penale.
Sipas avokatit, përmes rikonstruimit do të kuptohet veprimtaria dhe puna e kompanisë dhe për të parë në tërësi vendin e ngjarjes, përfshirë edhe vendet që sipas prokurorit nuk janë kapur nga DVR i kamerave.
Po ashtu, avokati Latifaj propozoi që të dëgjohet L.Sh., personi që vozitë kamionët, me qëllim që të kuptohet se si punon me ngarkimin dhe shkarkimin e mallit, duke hedhur poshtë pretendimin e Prokurorisë se me kamion është bërë bartja e narkotikut.
Gjithashtu, Latifaj propozoi që të dëgjohen si dëshmitarë edhe Bahri Shala dhe Aziz Osmani, si zyrtarë policorë, për të përshkruar veprimet e të akuzuarve që janë paraqitur si në kallëzim penal.
Ndërkaq, mbrojtësi i Kadri Sheqirit, avokati Xhafer Maliqi propozoi që të ftohen ekspertët e psikiatrisë, për të sqaruar gjendjen e të mbrojturit të tij.
Mirëpo, të gjitha propozimet e lartpërmendura u refuzuan nga trupi gjykues.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Ngadhnim Arrni, dëgjimi i dëshmitarit L.Sh., nuk ka relevancë për rastin, ndërsa Bahri Shala dhe Aziz Osmani nuk mund të merren në pyetje, pasi që rastin e ka udhëhequr prokurori i shtetit.
Kurse, refuzimi për rikonstruim të vendit të ngjarjes, sipas gjykatësit Arrni, u bë pasi që trupi gjykues vlerësoi se një situatë faktike e pretenduar si në aktakuzë në rastin konkret nuk mund të improvizohet përmes rikonstruimit. Si dhe refuzimi për ekspertët psikiatrik, u bë pasi gjykatësi theksoi se është i panevojshëm ngase raporti i ekspertëve sqaron mjaftueshëm gjendjen shëndetësore për Kadri Sheqirin.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar ekskluzivisht për dosjen e Prokurorisë lidhur me këtë rast, ku akuzohet pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, si dhe Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.
Bashkë me pesë të akuzuarit, në këtë rast akuzoheshin edhe Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, por pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë çështja penale ndaj tyre ishte veçuar.
Ndryshe, i akuzuari Hyzri Sheqiri pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, është dënuar me 7 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale. Kurse, i akuzuari Naim Morina pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, është dënuar me 6 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale.
Në këtë aktakuzë, Prokuroria ka propozuar të konfiskohen 400 kilogramë kokainë, makina, armë e rreth 26 mijë eurove.