Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas pak pritet të fillojë seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve në rastin e 400 kilogramëve kokainë, raporton Ekonomia Online.
Në këtë rast të akuzuar janë Izet Sheqiri, Kadri Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyçi, të cilët nga Prokuroria po akuzohen se, përmes kompanisë “MC Food”, kishin lidhur marrëveshje me kompaninë braziliane “SEARA” për importin e produkteve të mishit të pulës së ngrirë, në të cilat, sipas Prokurorisë, ishin vendosur substanca narkotike.
Gjatë kësaj seance do të dëgjohet dëshmia e Kadri Sheqirit. Në seancën e kaluar është dëgjuar dëshmia e Izet Sheqirit.
Pesë të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale që po u vihen në barrë, përveç Izet Sheqirit, i cili ka deklaruar se ndihet fajtor vetëm për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit, në bashkëpunim me persona nga shteti i Brazilit, përmes kompanisë “MC Food”, kishin lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA” për importimin e produkteve të mishit të pulës së ngrirë, ndërsa në brendësi të pakove të këtyre produkteve ishte vendosur substancë narkotike e llojit kokainë.
Prokuroria pretendon se kokaina, në sasi prej 400 kilogramësh, ishte zbuluar më 17 maj 2021, gjatë kontrollit të mallrave të importuara.