Më 20 prill pritet të nisë gjykimi ndaj Pal Lekajt, ish-ministër i Infrastrukturës, Eset Berishës, këshilltar i lartë politik i tij, si dhe Nebih Shatrit, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në MI.
Ata po akuzohen nga PSRK se me rastin e zbatimit të projektit “Autostrada Prishtinë- Han i Elezit R6”, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, me ç’rast buxhetit të Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro.
Lajmin për caktimin e kësaj seance e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, gjykatësja e rastit, Violeta Namani.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 shkurt 2021, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.
Ndërsa, më 19 shkurt, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.