Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do që FBI “të bëjë hetime gjithëpërfshirëse” të akuzave për sulm seksual kundër të emëruarit të tij për gjykatës të Gjykatës Supreme, Brett Kavanaugh.
Media amerikane raportoi më herët se Shtëpia e Bardhë dëshiron t’i kufizojë hetimet ndaj gjyqtarit.
Trump tha se ka kërkuar që FBI të ketë “frena të lirë”, porse dëshiron që hetimet “të kryhen shpejt”.
Christine Blasey Ford e akuzoi Kavanaugh për sulm seksual ndaj saj, në vitin 1982.
Edhe akuzuesja, edhe gjyqtari dëshmuan para senatorëve.
Javën e kaluar, u vendos që FBI t’i hetojë akuzat e ngritura, përpara votimit përfundimtar në Senat për Kavanaugh.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, tha se Dhoma e Lartë do të votojë këtë javë për konfirmimin ose jo të gjykatësit.
“Koha për vonesa dhe pengesa të pafundme ka marrë fund”, tha McConnell.
Posti i gjykatësit të Supremes në SHBA është i përjetshëm.
Kjo gjykatë është shpesh fjala e fundit për ligjet e diskutueshme dhe nëntë gjyqtarët e saj kanë një ndikim të madh në jetën politike amerikane.