Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, tetorin e kaluar, paralajmëroi një eksperte e Kombeve të Bashkuara.
“Heshtja nuk është opsion. Duhet të veprojmë”, tha Agnes Callamard.
Hetimet e saj konstatuan se vrasja e Khashoggit në konsullatën saudite në Stamboll ka qenë “një ekzekutim jashtëgjyqësor”.
Callamard, raportuese e posaçme e OKB-së për ekzekutimet jashtëgjyqësore ose arbitrare, tha se Khashoggi është “vrarë brutalisht” brenda konsullatës më 2 tetor.
SHBA-ja duhet të kërkojë një hetim nga FBI-ja, tha ajo, duke folur përkrah së fejuarës së Khashoggit në një konferencë në Londër.
Raporti i saj 101-faqesh, i publikuar në qershor, konstatoi se ka “dëshmi të besueshme” se princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, dhe zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë janë individualisht përgjegjës për vrasjen e Khashoggit.
Khashoggi, kritik i Qeverisë saudite, ka jetuar në SHBA dhe ka shkruar për gazetën Washington Post.
Ai është parë për herë të fundit duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll, më 2 tetor.
Agjentët sauditë e kanë vrarë gazetarin brenda konsullatës, por autoritetet insistojnë se ata nuk kanë vperuar sipas urdhrave të princit Mohammed.
Callamard tha se Perëndimi është duke u përballur me një “deficit demokratik”, duke mos iu përgjigjur zemërimit publik për vrasjen.
Arabia Saudite është aleate e ngushtë e SHBA-së.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përshkruar atë si “aleate jetësore” dhe i ka kundërshtuar thirrjet për sanksione kundër udhëheqjes së mbretërisë, për shkak të vrasjes së Khashoggit.