Gjysmë viti është duke u bërë superekspertiza, për atë se si ndodhi aksidenti me autobusin e “Durmo Turs” në shkurt të vitit 2019, në afërsi të fshatit Llaskarcë, ku humbën jetën 16 pasagjerë.
Me këtë ekspertizë, rasti duhet të marrë zgjidhje ligjore dhe e vërteta të del në shesh. Gjykata Penale e Shkupit ka një muaj të tërë që njofton se superekspertiza do të arrijë së shpejti. Atë e kërkoi gjykata pasi prokuroria dhe mbrojtja kanë paraqitur ekspertiza të ndryshme. Seanca e re është caktuar më 5 korrik, por deri atëherë nuk dihet nëse do të mbërrijë ekspertiza.
“Sapo të dorëzohet, do të nxiret para palëve në procedurën e seancës kryesore dhe kështu do të përfundojë procedura e dëshmive për rastin dhe do të caktohet seancë për fjalët përfundimtare.”, deklaruan nga Gjykata penale – Shkup.
Alsat ka kontaktuar edhe bartësin e superekspertizës Damjan Mirçevski, i cili në një bisedë telefonike tha se ajo është kah fundi. Por, ai nuk dha detaje për ekspertizën, dhe as se kur ajo do të jetë gati.
Superekspertizën e kërkoi Gjykata Penale nga Byroja e Ekspertizave Gjyqësore dhjetorin e kaluar, si institucioni i fundit kompetent për ekspertizë, pasi gjykata u refuzua nga tre fakultete me arsyetimin se nuk kanë mjaftueshëm ekspertë për ta bërë atë analizë.
Megjithatë, rasti gjyqësor “Llaskarca” mund të shtyhet edhe më, pasi të arrijë ekspertiza. Arsyeja e shtyrjes së mundshme të procesit është sepse kanë kaluar më shumë se 90 ditë pa asnjë seancë të mbajtur, për të cilin Ligji për Procedurën Penale kërkon që gjykimi të kthehet në fillim.
Aksidenti më autobusin e Durmo Turs ndodhi më 13 shkurt të vitit 2019, në afërsi të fshatit Llaskarc në magjistralen Shkup – Tetovë. Gjashtëmbëdhjetë pasagjerë vdiqën dhe 37 u lënduan.
Për këtë rast akuzohen pronari i Durmo Tours, shoferi i autobusit dhe punonjësit e qendrës teknike ku kaloi kontrollin autobusi, i cili ishte në pronësi të të njëjtit pronar.